Konfirmohet rinisja e një tjetër kampionati në Evropë

  • 05 May 2020 - 12:45
Konfirmohet rinisja e një tjetër kampionati në Evropë

Hungaria planifikon rifillimin e ndeshjeve të futbollit brenda muajit maj, madje drejtuesit e futbollit maxhar kanë zyrtarizuar edhe datën e rikthimit të skuadrave në fushën e lojës.

Ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës edhe në Hungari futbolli u ndal në mesin e muajit mars, për shkak të pandemisë së virusit COVID-19.

Menjëherë pas ndeshjeve të kthimit të fazës cerekfinale në Kupë skuadrat e ligës elitare të futbollit vendas luajtën edhe ndeshjet e Javës së 25 në OTP Bank Liga, megjithatë gjithcka frenoi më datë 14 mars dhe klubet u shtrënguan për të ndërprerë cdo aktivitet.

Me rënien e forcës së koronavirusit masat shtrënguese po hiqen dalëngadalë dhe gjithcka po i kthehet pak e nga pak normalitetit.

Të shumtë janë shtetet që po mendojnë gjithashtu edhe për rikthimin e aktiviteteve sportive dhe në Kontinentin e Vjetër thuajse të gjithë klubet kanë rifilluar të stërviten, natyrisht duke respektuar me rigorozitet masat e përcaktuara që më herët, ku në mënyrë të kuptueshme spikat pikërisht rregulli i distancimit fizik.

Bëhet fjalë për t’u rikthyer për të luajtur me dyer të mbyllura, megjithëse është e qartë që shumë sporte në këtë periudhë do të vuajnë pasojat dhe do të vazhdojnë të luhen pa praninë e spektatorëve.

Drejtuesit e futbollit maxhar kanë menduar që gjithcka të startojë me Kupën e Hungarisë, me sfidat gjysmëfinale ku spikat derbi i Budapestit MTK – Honved ndërsa dueli tjetër është Mezokovesd Zsory – Fehervar, takime që do të zhvillohen më datë 23 maj.

Lajmi u konfirmua nga vetë Federata Hungareze e Futbollit, që bëri të ditur gjithashtu se kampionati do të rifillojë brenda këtij muaji. Kështu ndeshjet e javës së 26 në OTP Bank Liga do të startojnë një javë pas sfidave gjysmëfinale të kupës kombëtare, më saktë në datë 30 maj.

Liga kryesore për momentin udhëhiqet përsëri nga kampionët në fuqi, madje Ferencvaros-i kryeson me 3 pikë më tepër se sa ekipi i Fehervar-it që pozicionohet në vendin e dytë, madje klubi i famshëm hungarez ka edhe privilegjin për të zhvilluar edhe dy takime më shumë krahasuar me ndjekësit e tij më të afërt.

Hungaria klasifikohet në vendin e 60 në rruzull, për nga numri i rasteve të regjistruar.

Kështu deri të martën në mesditë në vendin maxhar numëroheshin 3.035 raste infektimi gjithsej me virusin COVID-19, prej të cilëve kanë humbur jetën 351 persona, pra një nivel vdekshmërie afërsisht 11.7 %, sidoqoftë situata në Hungari është përmirësuar ndjeshëm, aq sa ditën e hënë figuronin vetëm 37 vetë të infektuar nga koronavirusi.

Në fund të këtij muaji kanë planifikuar gjithashtu për të filluar edhe drejtuesit e futbollit cek, me ndeshjet që pritet të startojnë më datë 25 maj, megjithëse një vendim i fundit është lënë që të merret më 12 maj, datë kur edhe pritet të hapet përfundimisht drita jeshile për futbollin e këtij vendi.


(Kosova Sot Online)