Juventusi i bën ofertë Romës për Zaniolon

  • 07 May 2020 - 10:24
Juventusi i bën ofertë Romës për Zaniolon

Juventusi raportohet se është gati ta ofrojë Federico Bernardeschin si pjesë të marrëveshjes së propozuar për ta sjellë në Allianz Stadium yllin e talentuar të Romës, Nicolo Zaniolon.

Dy skuadrat kishin arritur marrëveshje për shkëmbimin e Leonardo Spinazzolas me të huazuarin nga Cagliari, Luca Pellegrinin, verën e kaluar se Bryan Cristante kishte qenë i përfolur për përfshirje në marrëveshjen e shkëbimit me Rolando Mandragora, që megjithatë shkoi nga Juventusi në Udinese.

Gazeta italiane Tuttosport tani shkruan se bardhezinjtë janë duke tentuar ta shfrytëzojnë krizën financiare që e ka sjellë te Roma koronavirusi.

Këtë “Zonja e Vjetër” mendon ta bëjë duke ia ofruar ish-anësorin e Fiorentinës, Bernardeschin, Romës si pjesë të marrëveshjes për transferimin e Zaniolos në Allianz Stadium.

Po e njëjta gazetë italiane më tutje shkruan se Roma dëshiron ta mbajë në skuadër italianin, i cili për momentin është duke u shëruar nga një lëndim i rëndë që e kishte pësuar në ndeshjen e janarit kundër Juventusit.

Megjithatë, përkundër dëshirës për ta mbajtur atë në skuadër, Roma mund të detyrohet ta sakrifrikojë futbollistin në mënyrë që t’i zgjidhë problemet financiare këtë verë.

Bernardeschi në anën tjetër e dëshiron qëndrimin në Juventus, mirëpo ai s’ka arritur ta bindë trajnerin Maurizio Sarrin me 18 paraqitjet e tij këtë sezon, prej të cilave vetëm nëntë ishin në kuadër të Serisë A. 

(Kosova Sot Online)