Man City s’do ta dënojë Walkerin, përkundër që i theu rregullat

  • 08 May 2020 - 16:10
 Man City s’do ta dënojë Walkerin, përkundër që i theu rregullat

Ylli i Manchester Cityt u kritikua shumë muajin e kaluar, kur i theu rregullat e karantinës pasi një gazetë britanike zbuloi se anglezi e kishte organizuar një “aheng seksi”.

Walker kishte kërkuar falje për incidentin, përderisa kishte shtuar se pozita e tij si futbollist profesionist e sjelle edhe përgjegjësinë e të qenët shembull për të tjerët. Klubi ende mendon ta dënojë mbrojtësin për këtë incident, por jo edhe për të fundit.

Mbrojtësi anësor ishte sërish në qendër të vëmendjes këtë javë lidhur me krizën e koronavirusit, pasi që The Sun raportoi se mbrojtësi anglez e vizitoi motrën dhe prindërit e tij brenda një periudhe 24-orëshe. Sipas lajmit, 29-vjeçari tani përballet me intervenim policor dhe një gjobë potenciale.

Përderisa Walker mund të dënohet nga policia, ai nuk do të gjobitet nga Manchester City, pasi që një zëdhënës i klubit ka thënë për DailyMail se klubi e kupton që futbollisti kishte arsye të mjaftueshme për shkeljet e fundit.

Walker e shfrytëzoi llogarinë e tij në Twitter për ta mbrojtur veten, duke e lëshuar një deklaratë edhe për të kërkuar falje, por edhe për ta kritikuar vëmendjen shtesë negative që familja e tij ka marrë si rezultat i këtyre lajmeve.

“Ndiej se kam qëndruar i heshtur për një kohë mjaftueshëm të gjatë. Pas artikujve të fundit të publikuar për mua dhe familjen time, unë ndiej se nuk kam opsion tjetër përveç se të flas publikisht për ato”, ka thënë Walker.

“Unë së fundi e kam kaluar ndër periudhat më të vështira në jetën time, për të cilën marr përgjegjësi të plotë. Megjithatë, tani po ndihem se po ngacmohem. Kjo nuk po më ndikon vetëm mua më, por edhe shëndetin e familjes sime dhe fëmijëve të mi të vegjël”.

Walker më tutje sqaroi se ai kishte shkuar te motra e tij për t’ia dhënë një dhuratë për ditëlindje, ndërsa i kishte vizituar prindërit për t’i marrë disa ushqime të gatuara nga ta, duke shtuar se të afërmit e tij i kanë qëndruar afër në këtë kohë të vështirë për të.

“Familja ime është shkatërruar, kjo është zvarritur nëpër gazeta dhe unë po pyes: Kur bëhet mjaftueshëm? Në një kohë kur fokusi është natyrisht në Covod-19, në çfarë pike vjen në konsideratë edhe shëndeti mendor? Unë jam njeri, me ndjenja të dhimbjeve dhe mërzitjes si gjithë të tjerët”.

“Është mërzitëse, por unë ndiej se jeta ime po kritikohet pa ndonjë kontekst. Unë e kuptoj nëse njerëzit janë të mërzitur ose të zemëruar me mua, por është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë më mirë jetën time”.

(Kosova Sot Online)