Van Dijk paralajmëron kundërshtarët e Liverpoolit

  • 09 May 2020 - 17:25
 Van Dijk paralajmëron kundërshtarët e Liverpoolit

Qendërmbrojtësi holandez Virgil Van Dijk i ka paralajmëruar kundërshtarët e Liverpoolit duke thënë se ai mund të bëhet lojtar edhe më i mirë, me ndihmën e bashkëlojtarëve të tij.

28-vjeçari ka qenë mbresëlënës dhe ka arritur ta transformojë mbrojtjen e Liverpoolit që kur e siguroi transferimin rekordthyes për 75 milionë funte në Anfield, në janar të vitit 2018.

Ai ka arritur të fitojë statusin e njërit ndër lojtarëve më të mirë në botë aktualisht, pasi që me Liverpoolin arriti të shijojë triumf në Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.

Për shumë tifozë, transferimi i Van Dijk ishte pjesa e fundit që mungonte në mozaikun e Liverpoolit të Jurgen Kloppit, përderisa anglezët synonin t’i jepnin fund pritjes së gjatë për trofe.

Paraqitjet e tij kanë qenë aq mbresëlënëse saqë ai ishte afër t’ia marrë Lionel Messit çmimin Topi i Artë vitin e kaluar, përderisa u zgjodh lojtari më i mirë në botë nga UEFA. Megjithatë, holandezi i ka paralajmëruar rivalët se ai mund të bëhet edhe më i mirë.

“Ka gjithmonë vend për përmirësim. Unë e di këtë dhe tentoj gjithmonë t’i gjej gjërat në të cilat mund të përmirësohem dhe tentoj të punoj më shumë në ato gjëra”, ka thënë Van Dijk.

“Me ndihmën e bashkëlojtarëve të mi dhe natyrisht trajnerit, gjithashtu edhe të trajnerit të ekipit kombëtar – Ronald Koeman – kjo definitivisht do të më ndihmojë mua të bëhem lojtar më i mirë. Kështu që unë po vazhdoj të punoj për këtë”.

(Kosova Sot Online)