Kane, gati të kthehet për Tottenhamin me rinisjen e Premierligës

  • 15 May 2020 - 08:19
Kane, gati të kthehet për Tottenhamin me rinisjen e Premierligës

Sulmuesi i Tottenhamit, Harry Kane, beson se ai do të jetë gati të luajë në ndeshjet e klubit londinez kur të rinisë Premierliga.

26-vjeçari ishte dashur të bëhej operacion pasi e kishte lënduar këmbën e majtë në ndeshjen e Ditës së Vitit të Ri dhe, shkaku i këtij lëndimi, kishte mbetur jashtë fushës së blertë deri kur u pezulluan të gjitha aktivitetet sportive në mars shkaku i koronavirusit.

Kjo ndërprerje i ka konvenuar skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho, pasi që Kane ka arritur të shërohet plotësisht dhe e ka bërë veten gati për të luajtur në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, nëse vendoset përfundimisht për rinisjen e kampionatit.

Qeveria britanike së fundi i la hapësirë Premierligës dhe Ligave të Futbollit Anglez t’i rinisin garat në qershor, përderisa Kane pret që edhe ai të luajë rol në ndeshjet e mbetura.

“Jam po aq mirë sa mund të jem. Isha në një fazë të mirë para karantinës. Unë po bëja pothuajse gjithçka përveç që nuk po stërvitesha me skuadrën”, ka thënë Kane.

“Që kur ka filluar karantina, unë i kam vazhduar seancat stërvitore online me skuadrën, ndërsa i bëj edhe disa stërvitje të veçanta për lëndimin tim. Por, tani mund të bëj gjithçka që bëjnë djemtë e tjerë”.

“Natyrisht, gjatë javës së kaluar, kemi pasur mundësi të stërvitemi një kundër një me një anëtar të stafit në fushë. Kjo ka qenë me të vërtetë e këndshme, thjesht të dalësh dhe ta prekësh topin sërish”.

“Kurdo që të rifillojë sezoni, pavarësisht a ndodh muajin e ardhshëm, pas dy apo tre muajve, unë do të jem gati për të luajtur qysh në ndeshjen e parë”.

(Kosova Sot Online )