FFK-ja kritikon klubet që shkelën rregullat e karantinës: Ky është veprim i pamatur dhe i rrezikshëm

  • 15 May 2020 - 10:51
FFK-ja kritikon klubet që shkelën rregullat e karantinës: Ky është veprim i pamatur dhe i rrezikshëm

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ndaj lajmeve se disa klube të Ipko Superligës së Kosovës i kanë rinisur grumbullimet dhe stërvitjet ekipore, duke i shkelur rregullat e qeverisë së Kosovës. FFK-ja ka kërkuar nga klubet t’i ndërprenë menjëherë këto aktivitete.

Futbolli në Ipko Superligën e Kosovës ka qenë i pezulluar që nga muaji mars, shkaku i koronavirusit. Përveç ndeshjeve, edhe stërvitjet ekipore janë ndaluar, si pjesë e planit qeveritar për ta parandaluar përhapjen më të madhe të virusit.{Sport, lajme, gazeta, Kosova Sot, bota, ngjarje, aktualitet}
Lojtarët fillimisht kishin filluar të stërviten nëpër shtëpitë e tyre individualisht, mirëpo gjatë ditëve të fundit është raportuar se disa klube të Superligës veçse i kanë filluar stërvitjet.

“Federata e Futbollit e Kosovës i ka pranuar me shqetësim raportimet e mediave se disa prej klubeve të Ipko Superligës i kanë thyer rregullat e institucioneve, duke filluar me grumbullime dhe stërvitje në ekip, në periudhën kur një gjë e tillë është e palejueshme si pasojë e pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Federata.

“FFK konsideron se ky veprim i klubeve është i pamatur, joprofesional dhe i rrezikshëm për futbollistët dhe popullatën e gjerë. Edhe një herë ju bëjmë me dije se FFK është duke punuar pareshtur së bashku me institucionet shëndetësore dhe autoritetet e shtetit që të gjejnë mundësitë për rifillimin e aktivitetit, me masa të shtuara mbrojtëse për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në stërvitje dhe në ndeshje të futbollit”.

“Duke pasur parasysh që ende nuk ka vendim as për datën e fillimit të stërvitjeve në grupe dhe as nëse do të vazhdojë apo jo kampionati e vlerësojmë të pakuptimtë veprimin e disa klubeve që kanë shtyrë futbollistët që të mbajnë stërvitje ekipore”.

“Njëherësh konsiderojmë se një gjë e tillë e dëmton në masë të madhe përpjekjen tonë që nëpërmjet një protokolli sanitar të marrim dritën e gjelbër nga autoritet e shtetit për rifillimin e futbollit dhe për mbylljen e këtij kampionati në fushën e gjelbër”.

“Prandaj, kërkojmë urgjentisht nga të gjitha klubet që t’u përmbahen vendimeve të FFK-së dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe t’i ndërprejnë menjëherë grumbullimet e tilla, duke i udhëzuar futbollistët që formën e tyre ta mbajnë me stërvitje individuale”

“Në ditët e ardhshme do të kemi sërish takime me drejtuesit e institucioneve shëndetësore dhe po bëjmë çmos për rifillim sa më të shpejtë të futbollit, por gjithnjë duke e pasur si prioritet shëndetin e futbollistëve”.


(Kosova Sot Online)