Tottenhami heton nëse Aurier i theu sërish rregullat e karantinës

  • 20 May 2020 - 15:48
 Tottenhami heton nëse Aurier i theu sërish rregullat e karantinës

Tottenhami ka bërë të ditur se po tenton ta gjejë nëse Serge Aurier i ka thyer sërish rregullat e karantinës, për herë të tretë, pasi u raportua se atij iu preu flokët një profesionist gjatë karantinës.

Mbrojtësi anësor 27-vjeçar e postoi një fotografi në Instagram të martën pasdite për ta reklamuar stilin e ri të flokëve, përderisa e etiketoi berberin Justin Carr në postimin e tij.

Tottenhami reagoi ndaj këtij lajmi duke e lëshuar një deklaratë për media.

“Ne jemi duke i hetuar rrethanat dhe do të përballemi me incidentin ashtu siç është e përshtatshme”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi londinez.

Aurier më herët ishte detyruar të kërkonte falje dy herë për thyerjen e rregullave të karantinës, pasi që një herë e kishte postuar një video duke vrapuar përkrah një shoku e më vonë një tjetër me bashkëlojtarin në Tottenham, Moussa Sissoko.

Tottenhemi ishte kritikuar edhe gjatë muajit të kaluar, kur trajneri Jose Mourinho ishte fotografuar duke i mbajtur seanca stërvitore Tanguy Ndombeles, përderisa Davinson Sanchez dhe Ryan Sessegnon ishin fotografuar duke vrapuar së bashku.

(Kosova Sot Online)