Barcelona do të jetë gati brenda pak javësh, thotë De Jong

  • 21 May 2020 - 16:24
 Barcelona do të jetë gati brenda pak javësh, thotë De Jong

Frenkie de Jong është i lumtur që i është kthyer punës bashkë me shokët e skuadrës së Barcelonës dhe mendon se ata do të jenë të gatshëm fizikisht për të luajtur përsëri brenda pak javësh.

Gjatë pezullimit të futbollit si pasojë e koronavirusit, mesfushori i talentuar e kaloi kohën në Holandë ku ka ushtruar i vetëm.

Ai e çmon rikthimin në normalitet pasi tani mund të stërvitë bashkë me shokët e skuadrës.

“Ndihem mirë. Kam ushtruar edhe në Holandë për ta ruajtur formën”, tha mesfushori holandez.

“Është shumë mirë që jam rikthyer në fushë. Ndihem mirë por jo gati për të luajtur tani. Por mendoj se brenda pak javësh, ne do të jemi të gatshëm për të luajtur përsëri”, shtoi De Jong.

La Liga pritet të rifillojë në fillim të muajit qershor, me Barçën që është lidere me dy pikë më shumë se Real Madridi pas 27 ndeshjeve.

(Kosova Sot Online)