Qeveria italiane s’bën kompromis: Dy javë izolim nëse infektohet një lojtar

  • 27 May 2020 - 10:04
Qeveria italiane s’bën kompromis: Dy javë izolim nëse infektohet një lojtar

Komiteti Teknik dhe Shkencor i Ministrisë së Shëndetësisë në qeverinë italiane e ka bërë të qartë se as lojtarët s’përbëjnë përjashtim nga rregulla për izolim prej dy javësh pas infektimit me koronavirus.

Serie A ka qenë e pezulluar që nga muaji mars për shkak të përhapjes së virusit Covid-19 në botë, përderisa Italia është njëra ndër vendet më të prekura me gjithsej 230 mijë raste të identifikuara dhe gati 33 mijë vdekje të regjistruara.

Që nga muaji maj, klubet italiane i kanë rinisur seancat stërvitore në grupe të vogla, me shpresën që së shpejti të mundë ta rinisin kampionatin, përkundër që e kanë kundërshtuar protokollin e qeverisë.

Klubet shpresonin që lojtarëve që dalin pozitivë me koronavirus do t’i jepet një masë më e lehtë për izolim, pasi që dëshironin që lojtarët të mundë të kthehen në stërvitje sapo t’u dalin dy teste negative radhazi, pa marrë parasysh a përfundohen dy javë.

Megjithatë, gazeta italiane Tuttomercatoweb raporton se Komiteti Teknik dhe Shkencor e ka theksuar se nuk ka asnjë alternativë dhe s’mund të bëhet kompromis dhe rregullën për izolim prej dy javësh.

Komiteti Teknik dhe Shkencor e ka theksuar se s’mund të bëhen përjashtime as për futbollistët, pasi që ka rrezik të nisë një valë e dytë e infektimeve me koronavirus.

Sipas Komitetit, ideja që lojtarët të trajtohen ndryshe nga qytetarët e tjerë “është ide manipuluese dhe provokuese”. 

(Kosova Sot Online)