Man Unitedi i dërgon dhuratë speciale Fergusonit për ta mbajtur të izoluar në shtëpi

  • 27 May 2020 - 11:07
Man Unitedi i dërgon dhuratë speciale Fergusonit për ta mbajtur të izoluar në shtëpi

Sir Alex Fergusoni i kaloi 27 vjet të jetës së tij duke e ndërtuar dinastinë e Manchester Unitedit si trajner. Tani, 78-vjeçari duket se i ka kaluar edhe dhjetë javët e tij në karantinë, për shkak të koronavirusit, duke e rindërtuar Old Traffordin, këtë herë në një version lodër.

Ish-trajneri i Manchester Unitedit është i njohur si njeri i dhënë pas punës, mirëpo ai është detyruar të kujdeset më shumë për shëndetin e tij pasi ishte bërë në mënyrë urgjente operacion në tru në vitin 2018.

Tani, kur pandemia e koronavirusit po vazhdon ta godasë botën, është edhe më e rëndësishme sesa zakonisht që ai të kujdeset për veten, pasi që përveç problemeve shëndetësore, ai është edhe më i moshuar dhe i përket grupit të njerëzve më të rrezikuar nga virusi Covid-19.

E përditshmja britanike, The Sun, raporton se ish-trajneri legjendar e kontaktoi Manchester Unitedin për t’ia kërkuar setin e “Lego-s” për ta ndërtuar stadiumin e famshëm të Djajve të Kuq, pasi e kishte parë këtë lodër online.

Replika 3898-pjesëshe e Teatrit të Ëndrrave kushton 250 funte dhe e përfshin edhe statujën e famshme të Manchester Unitedit dhe tribunën e stadiumit të emëruar për nder të tij.

Ky set përshkruhet si “përvojë sfiduese për ndërtim” nga kompania Lego dhe parashikohet të ndërtohet brenda shtatë orëve e gjysmë.

(Kosova Sot Online)