FFK-ja e ka një “selam” për klubet para rikthimit të futbollit

  • 27 May 2020 - 16:54
FFK-ja e ka një “selam” për klubet para rikthimit të futbollit

Shtëpia e futbollit kosovar obligon të gjitha klubet që paraprakisht t’u nënshtrohen testimeve, për të marrë pjesë në gara, në të kundërtën nuk mund të zhvillojnë ndeshjet

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, sot e mbajti mbledhjen e vetë të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen dhe rrethanat në futbollin e Kosovës.

KE analizoi dhe shqyrtoi përgatitjet për rifillimin e garave në Ipko Superligë dhe konstatoi se pas Vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Udhëzimeve të IKSHP-së të gjitha skuadrat kanë filluar stërvitjet për gara.

Po ashtu, KE konstatoi që FFK-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat duke siguruar edhe mjetet relevante për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve.

“FFK-ja ka siguruar maskat, dorëzat, si dhe tunelet dezinfektuese. Ka siguruar edhe testimet për futbollistët dhe stafet e klubeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ndaj edhe të gjitha klubet obligohen që paraprakisht t’u nënshtrohen testimeve, për të marrë pjesë në gara, në të kundërtën nuk mund të zhvillojnë ndeshjet”, njofton FFK-ja.

KE po ashtu shqyrtoi dhe përgatitjet e gjyqtarëve të cilët do t’i nënshtrohen testeve për Covid -19 si dhe testeve fizike e teorike e do të jenë të gatshëm për gara.

KE u bën thirrje të gjitha organeve që të kenë vigjilencë të shtuar që garat të përfundojnë në mënyrë sa më të mirë të mundshme.

Në fund, Komiteti Ekzekutiv duke marrë për bazë gjendjen e krijuar nga Pandemia Covid -19 dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullsisë dhe në bazë të Vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë lejuar garat vetëm në Ipko Superligë, për ligat tjera mori vendim që të mos zhvillohen garat dhe rezultatet do të merren sipas tabelës aktuale para fillimit të pandemisë, por edhe duke ruajtur edhe mundin e secilit klub. 

(Kosova Sot Online)