Giroud zbulon dëshirën për ta mposhtur Arsenalin: Doja t’u tregoja kush jam

  • 30 May 2020 - 16:44
 Giroud zbulon dëshirën për ta mposhtur Arsenalin: Doja t’u tregoja kush jam

Olivier Giroud ka zbuluar se ai ishte edhe më i motivuar sesa zakonisht për ta mposhtur Arsenalin në finalen e sezonit të kaluar të Ligës së Evropës, pasi Topçinjtë e lejuan atë të shkojë në Chelsea.

Topçinjtë e lejuan fituesin e Kupës së Botës të largohej nga skuadra në janar të vitit 2018, ndërsa Giroud arriti ta fitojë trofeun e FA Cup qysh në sezonin e tij të parë në Stamford Bridge, para se të arrinte ta fitonte edhe Ligën e Evropës në sezonin vijues.

Në fakt, sulmuesi francez e kishte shënuar golin e parë të ndeshjes kundër ish-klubit të tij në finale, ndërsa golat e tjerë të shënuar nga Pedro dhe dy nga Eden Hazard ia siguruan Chelseat trofeun e garës dytësore në Evropë.

“Finalja kundër Arsenalit natyrisht se ishte një moment shumë i veçantë për mua, në aspektin emocional. Kur unë e pashë që do të luanim kundër Arsenalit në finale, e dija që do të jetë e veçantë”, ka thënë Giroud.

“Për më tepër, unë isha larguar vetëm një vit më parë. Kisha shumë shokë ende atje, jo vetëm në skuadër, por edhe staf të klubit. Ky ishte motivim shtesë për mua dhe unë e dija se do të ishte një ndeshje me presion të shtuar”.

“Ti natyrisht se përgatitesh për ndeshjen në një mënyrë më të veçantë , pasi që e di se ata të njohin ty shumë mirë dhe ata e dinë se edhe ti i njeh ata mjaft mirë, gjithashtu”.

“Ishte një moment shumë i veçantë, por ishte motivim shtesë për mua sepse unë doja t’ua dëshmoja atyre veten, t’u tregoja që kam ende energji dhe edhe disa vite karrierë”.

(Kosova Sot Online)