Mes kaosit në SHBA, muralet e Kobe Bryant mbeten të paprekura

  • 03 June 2020 - 10:54
Mes kaosit në SHBA, muralet e Kobe Bryant mbeten të paprekura

Përkundër që tashmë është bërë më shumë se javë plus kaos mes protestave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një gjë ka mbetur e paprekur nga protestuesit në Los Angeles – muralet e Kobe Bryant.

I riu amerikan me ngjyrë, George Floyd, vdiq javën e kaluar në Minneapolis pasi Derek Chauvin, një polic i bardhë, ia mbajti gjurin mbi qafë për më shumë se tetë minuta.

Chauvin, i cili u shkarkua nga detyra si polic të martën, u arrestua të premten dhe ndaj tij u ngrit akuzë për vrasje të rangut të tretë. Vdekja e Floyd ka ngjallur protesta gjatë gjithë javës së kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë vazhduar edhe këtë  javë.

Protestuesit po kërkojnë që të arrestohen edhe tre policët e tjerë që ishin në vendin e ngjarjes dhe që nuk kishin ndërhyrë për ta ndalur kolegun e tyre, Chauvin.

Pasi që kërkesat e tyre nuk po plotësohen, ato kanë vazhduar që tetë ditë në shumë qytete të SHBA-së. Përderisa shumica e protestave kanë qenë paqësore, qytetet e SHBA-së kanë mbetur të dëmtuara nga aktet e dhunshme nga një numër i protestuesve.

Megjithatë, në Los Angeles kanë mbetur të paprekura muralet e shumta të Kobe Bryant, përderisa shumëçka përreth tyre është dëmtuar.

E veja e Bryant, Vanessa, i shpërndau fotografitë e këtyre muraleve në rrjete sociale dhe shprehu mirënjohje që ato  nuk u dëmtuan.

(Kosova Sot Online)