Smalling synon qëndrimin në Romë
I huazuari nga Manchester Unitedi në Romë, Chris Smalling, raportohet se dëshiron të qëndrojë në kryeqytetin italian përtej këtij sezoni, përkundër që në fund të sezonit i përfundon kontrata e huazimit.
Gazeta italiane Il Corriere dello Sport raporton se mbrojtësi anglez e ka bërë të qartë vullnetin e tij për të qëndruar në Romë përtej këtij sezoni dhe drejtori sportiv Gianluca Petrachi tani po tenton të arrijë marrëveshje me Djajtë e Kuq për t’ia zgjatur kontratën e huazimit.
Drejtori i Romës beson se mund të arrijë marrëveshjen për ta mbajtur të huazuar Smallingun edhe për sezonin e ardhshëm për tre milionë euro, përderisa nuk e përjashton mundësinë e transferimit të tij në mënyrë permanente këtë verë.
30-vjeçari ka kontratë me Manchester Unitedin të vlefshme deri në qershor të vitit 2022, mirëpo ai ishte dërguar në Serie A në formë huazimi para se të fillonte sezoni aktual, verën e kaluar.
Deri më tani, ai i ka bërë 21 paraqitje gjithsej në Serie A për verdhekuqtë, të cilët radhiten në pozitën e pestë në tabelën e ligës. Si qendërmbrojtës, ai ka arritur të kontribuojë edhe me dy gola dhe një asist.
Gazeta italiane shkruan se Roma për momentin është duke tentuar të arrijë marrëveshje edhe për sulmuesin e Evertonit, Moise Kean, dhe sulmuesin e Talleres, Nahuel Bustos.
(Kosova Sot Online)