Barcelona konfirmon lëndimin e Messit

  • 05 June 2020 - 13:14
Barcelona konfirmon lëndimin e Messit

Barcelona e ka konfirmuar se Lionel Messi e ka pësuar një lëndim në kofshën e këmbës, mirëpo i ka qetësuar tifozët duke bërë të ditur se argjentinasi nuk do të mungojë për një kohë të gjatë.

Për gjendjen fizike të kapitenit 32-vjeçar të Barcelonës, Lionel Messit, ka pasur shumë spekulime, pasi që ai mungoi në disa seanca stërvitore të klubit katalonas.

Fillimisht ishte sugjeruar se Messi thjesht po stërvitej larg skuadrës, prapa kamerave, individualisht.

Megjithatë, tani Barcelona e ka konfirmuar se gjashtë-herë fituesi i Topit të Artë është duke vuajtur nga një lëndim jo shumë serioz.

Por, kampionia në fuqi e Spanjës është e bindur se kapiteni i katalonasve do të kthehet së shpejti në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës së Quique Setien dhe se do të jetë gati për rinisjen e La Ligës.

“Kapiteni i Barcelonës, Leo Messi, e ka një lëndim të vogël në kuadricepsin e djathtë dhe po stërvitet i izoluar, po bën ushtrime specifike për t’iu shmangur rreziqeve të panevojshme, tani që kanë mbetur vetëm edhe tetë ditë para se Barcelona t’u kthehet ndeshjeve”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.

“Ai pritet t’i bashkohet bashkëlojtarëve të tij brenda pak ditësh”. 

(Kosova Sot Online)