Heroi i Prishtinës: “Fitore e rëndësishme, synojmë Kupën dhe Superligën”

  • 08 June 2020 - 08:30
Heroi i Prishtinës: “Fitore e rëndësishme, synojmë Kupën dhe Superligën”

Korenica është i lumtur me ecurinë e Prishtinës dhe edhe njëherë e ka bërë të qartë se objektivi i Prishtinës për këtë edicion janë Kupa dhe Superliga.

Prishtina e ka shkatërruar Ferizajn në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të besuarit e Armend Dallkut që po tregojnë formë të lartë, triumfuan 8-1 kundër Ferizajt.

Meriton Korenica ishte ai që shkëlqeu në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke shënuar tre gola.

Me het-trikun kundër Ferizajt ai është bërë vetëm futbollisti i 10-të që ka arritur pas luftës tregolësh dhe atë pas dy vitesh prej kur sulmuesi Khalid kishte shënuar në Gjilan kundër Dritës në vitin 2017, njoftoi Prishtina.

Futbollisti u shpreh tejet i lumtur pas ndeshjes me formën personale dhe atë ekipore.

“Fitore shumë e rëndësishme si dhe ecuria jonë. Shpresojë kështu të vazhdojmë me lojëra të mira dhe çdo ndeshje t’i qasemi maksimalisht”, u shpreh ai.

“Kemi një qëllim përpara, kupë e titull dhe duke parë që ekipi po shkon shumë mirë besoj shumë se në fund të gjithë së bashku, duke i ndihmuar njëri tjetrit, do t’ia dalim”.

“Ky rezultat i thellë tregon më së miri punën që jemi duke e bërë. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me gjithçka”.

Bardhekaltrit në javën e 24-të udhëtojnë në fundjavë në Vushtrri.

(Kosova Sot Online )