Dy vjet pa legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin

  • 09 June 2020 - 07:56
Dy vjet pa legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin

Sot bëhen dy vjet nga vdekja e legjendës së futbollit dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit. Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, por vlerësohet se në kohën sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vënë themelet e forta të futbollit kosovar. Vokrri ka drejtuar FFK-në për mbi një dekadë, ndërsa ka udhëhequr Federatën në procesin e vlerësuar si shumë të vështirë, të pranimit në UEFA e FIFA. Pas shumë përpjekjeve, më në fund në vitin 2016, FFK-ja u pranua në UEFA e FIFA. Menjëherë atë vit Kosova nisi me ndeshje zyrtare eliminatore, ndërsa më pas edhe përfaqësueset e tjera e po ashtu klubet. Hapa të mëdhenj para janë bërë gjatë tre vjetëve pranim të plotë në skenën ndërkombëtare, ndërsa hapa të tjerë synohen në vitet në vazhdim.

Për nder të veprimtarisë së Vokrrit, nga ora 09:00 do të bëhen homazhe pranë varrit të tij, në varrezat e qytetit të Prishtinës, ndërsa në ora 13:00 publikohet buqeta fituese e shtatores së Fadil Vokrrit, të cilin do ta shpalosin kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollit me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.

(Kosova Sot Online )