Setien zbulon gjendjen e Messit para rinisjes së La Ligës

  • 10 June 2020 - 08:49
Setien zbulon gjendjen e Messit para rinisjes së La Ligës

Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, i ka qetësuar tifozët e katalonasve duke thënë se nuk ka asnjë dyshim që kapiteni Lionel Messi do të luajë në ndeshjen kundër Real Mallorcas.

Lionel Messi u kthye në seancat stërvitore ekipore të hënën, duke lënë të kuptohet se ai është shëruar nga lëndimi i kuadricepsit, që e kishte detyruar gjashtë-herë fituesin e Topit të Artë të stërvitej larg skuadrës.

Setien më herët kishte thënë se Messi është në gjendje të përsosur, përkundër që vetë klubi e kishte konfirmuar lëndimin e tij, për të cilin megjithatë ishte bërë e ditur se nuk është serioz.

La Liga rinis të enjten pas një pauze të detyrueshme shkaku i koronavirusit për tre muaj. Ndërsa, liderja e ligës, Barcelona, do ta vizitojë Mallorcan të dielën, në tentimin për ta mbajtur ose thelluar epërsinë prej dy pikësh ndaj Real Madridit në krye të tabelës.

Tani është bërë e ditur se Messi do të luajë në këtë ndeshje kundër Mallorcas, pasi që Setien tha për Catalunya Radio: “Ne nuk kemi pasur asnjë dyshim se a do ta kemi në dispozicion apo jo për ndeshjen kundër Mallorcan”.

“Kemi pasur edhe lojtarë të tjerë me probleme shkaku i lëndimeve. Ai i ndali stërvitjet ekipore si masë parandaluese”.

Pas ndeshjes kundër Mallorcas, Barcelona do ta presë Leganes pas tre ditësh, para se ta vizitojë Sevillën më 19 qershor për ndeshjen e tretë në një periudhë prej gjashtë ditëve.

(Kosova Sot Online )