Dhjetë ndryshimet me të cilat rinisi La Liga

  • 12 June 2020 - 15:37
 Dhjetë ndryshimet me të cilat rinisi La Liga

Futbolli është ende i njëjti sport – luhet me një top dhe 22 lojtarë në fushë, dhe i argëton miliona shikues kudo në planet, madje edhe në këtë situate krize shkaku i koronavirusit.

Megjithatë, ky sport tani po kthehet me disa ndryshime të mëdha, të cilat u vërejtën qysh në ndeshjen e parë pas rinisjes së sezonit në La Liga – ndeshjen e së enjtes mes Sevillës dhe Real Betisit.

Dhjetë zëvendësime

Trajnerët mund t’i bëjnë nga pesë zëvendësime për ndeshje, mirëpo këto pesë zëvendësime duhet të kryhen brenda tri ndërprerjeve, që do të thotë se duhet t’i zëvendësojnë nga më shumë se një lojtar për ndërprerje nëse duan t’i shfrytëzojnë të pesë zëvendësimet.

Stoli zhvendoset në tribuna

Me nga pesë zëvendësime, lojtarët mund t’i ftojnë nga 23 lojtarë për ndeshje dhe për shkak të hapësirës së vogël që u ofrohet klubeve në bankat e rezervës, stoli tani është zhvendosur në tribunar e stadiumit, ndërsa lojtarët e stafi duhet të mbajnë maska dhe të ulën larg njëri-tjetrit.

Prapa dyerve të mbyllura

Dallimi më i madh është se tani tifozët nuk lejohen të hyjnë brenda në stadiume, përkundër spekulimeve të vazhdueshme se afër fundit të sezonit mund të lejohet një numër i kufizuar i tifozëve.

Ndërprerje për freskim të lojtarëve

Ndeshjet ndalen pas 30 minutave lojë të çdo pjese (në minutën e 30-të dhe të 75-të), në mënyrë që lojtarët të mund të freskohen dhe të pinë ujë, shkaku i temperaturave të larta, edhe nëse ndeshjet zhvillohen natën vonë. Shishet e ujit s’mund ta ndahen mes lojtarëve si zakonisht, por secili duhet ta përdorë të veten.

Duartrokitje për heronjtë e pandemisë

Në minutën e 20-të të çdo ndeshjeje mund të dëgjohet “Duartrokitja deri në pafundësi” për nder të heronjve të krizës së koronavirusit, si mjekët dhe forcat e sigurisë. Duartrokitjet lëshohen në altoparlantët në stadium dhe zgjasin 30 sekonda.

Pa gazetarë rreth fushës

Gazetarët dhe fotografët nuk do të lejohen në zonat përreth fushës ose brenda në fushë pas përfundimit të ndeshjes. Në vend të kësaj, ata duhet të qëndrojnë në rreshtat e parë të tribunave.

Djemtë që grumbullojnë topat do të mbajnë doreza dhe maska

Të gjithë fëmijët që i mbledhin topat gjatë ndeshjes do të duhet ta kryejnë punën e vet me doreza dhe maskë veshur.

Zonat presidenciale në tribuna pothuajse të boshatisura

Në ndeshjen e parë të La Ligës, të zhvilluar të enjten, vetëm katër persona ishin të ulur në zonën në tribunë që është e ndarë për zyrtarët e klubeve.

Pa shtrëngime duarsh

Lojtarët nuk lejohen t’ia shtrëngojnë duart njëri-tjetrit, si zakonisht, nëpër ndeshje, si masë parandaluese. Madje edhe hyrja dhe dalja nga fusha bëhet në atë mënyrë që të ketë sa më pak kontakt mes tyre.

Festimet imagjinare të golave

Sevilla pretendoi se po e festonte fitoren kundër Betisin me tifozët, të cilët megjithatë nuk ishin të pranishëm në tribuna.

(Kosova Sot Online)