Thiago Silva drejt Ligës Premier, tri skuadra i kanë bërë ofertë veteranit brazilian

  • 15 June 2020 - 08:39
Thiago Silva drejt Ligës Premier, tri skuadra i kanë bërë ofertë veteranit brazilian

Aventura e Thiago Silvës te kampioni në fuqi i Francës, Paris Saint Germain ka ardhur në fund.

Pas tetë viteve qëndrim në kryeqytetin francez, Thiago Silva do të largohet si futbollist i lirë nga Parc de Princes. Ka qenë drejtori sportiv i klubit Leonardo që ka konfirmuar se nuk do të vazhdojnë kontratat me dy legjendat e klubit si Thiago Silva e Edinson Cavani.

Veterani brazilian pritet ta vazhdojë karrierën e tij në kampionatin anglez Ligën Premier.

The Sun ka raportuar se skuadrat si Arsenal, Everton dhe Tottenham Hotspur e duan transferimin e lojtarit.

Tri ekipet anglezë raportohet se tanimë kanë nisur negociatat me përfaqësuesit e brazilianit që kërkon pagë dy vjeçare.

Silva me dëshirë do të transferohej në Angli, kampionat ku braziliani gjithmonë ka thënë se i pëlqen jashtëzakonisht shumë.

Gjithsesi si opsion për 35-vjeçarin mbetet edhe rikthimi në Serie A te Milani, klub ku kishte kaluar pesë vite.

(Kosova Sot Online )