Real Madridit po i mungojnë golat dhe karakteri i Ronaldos, thotë Modric

  • 15 June 2020 - 16:35
Real Madridit po i mungojnë golat dhe karakteri i Ronaldos, thotë Modric

Real Madridit janë duke i munguar golat dhe karakteri i Cristiano Ronaldos, i cili vazhdimisht e nxiste skuadrën për të fituar, thotë Luka Modric.

Superylli portugez Ronaldo u bë golashënuesi më i mirë në histori të Real Madridit gjatë qëndrimit të tij nëntëvjeçar shumë pjellor dhe të trofeshëm në Santiago Bernabeu nga viti 2008 deri më 2018.

Madridi e shiti Ronaldon në Juventus për një çmim shumë të lartë parash, menjëherë pasi e fitoi titullin e tretë radhazi në Ligën e Kampionëve dhe të katërtin në pesë sezone.

Por në sezonin pasues, Reali ngeci në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve pa yllin kryesor.

Aq ky sezon, i cili u ndërpre për tre muaj rresht si pasojë e pandemisë koronavirus, nuk ka qenë shumë i mirë. Skuadra e Zinedine Zidane është e dyta në La Liga me dy pikë më pak se liderja Barcelona, ndërsa e ka humbur 2:1 ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve në shtëpi kundër Manchester City.

“Ronaldo është në mesin e më të mirëve në histori. Neve në Real Madrid na mungojnë golat dhe karakteri i tij. Cristiano dëshiron të fitojë gjithmonë, ai na nxiste dhe na bënte të reagonim”, tha Modric.

“Si person ai e ka një zemër të madhe dhe është gjithmonë i gatshëm t’i ndihmojë njerëzit në nevojë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)