Sot vendosen dy finalistët e Kupës së Kosovës

  • 17 June 2020 - 09:39
Sot vendosen dy finalistët e Kupës së Kosovës

Sot në orën 16:30 do të zhvillohen dy ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës, për t’i mësuar kështu emrat e dy finalistëve, në mesin të cilin shpresojnë të jenë Prishtina ose Drenica dhe Feronikeli ose Ballkani. Feronikeli – Ballkani (ndeshja e përfundoi me rezultat 0:0):

Pasi që ka mbetur prapa në garën për titullin e Ipko Superligës së Kosovës, trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, shpreson që skuadra e tij do të arrijë ta mbrojë titullin e kampionit në Kupën e Kosovës.

Për ta arritur fillimisht finalen e pastaj trofeun potencial, Feronikeli e ka si pengesë të parë Ballkanin e Ismet Munishit, që sezonin e rinisi si favorit në të dyja garat, por tri ndeshjet e para kanë shtuar dyshimet për skuadrës nga Suhareka.

Ballkani ishte lider i Ipko Superligës së Kosovës dhe vlerësohej si pretendent për të dyja trofetë e Kosovës. Megjithatë, skuadra e Munishit i ka barazuar pa gola tri ndeshjet e para që nga rinisja e sezonit.

Në ndeshjen e parë mes dy skuadrave, të zhvilluar në Suharekë, asnjëra skuadër s’kishte arritur të shënonte gol dhe Munishi ishte ankuar pas ndeshjes për mbrojtjen e Feronikelit. Megjithatë, sot Ballkani do të tentojë t’i japë fund ecurisë prej tri barazimeve radhazi, në tentim për ta siguruar daljen në Evropë të paktën përmes Kupës, pasi që tani radhitet në pozitën e tretë në tabelën e ligës, edhe pse me vetëm tre pikë më pak se liderja Drita.

E përderisa Ballkani i ka barazuar dy ndeshjet e zhvilluara që nga përballja e parë me Feronikelin, këta të fundit vijnë në ndeshjet e sotshme me formë më të mirë, pasi që i kanë fituar dy ndeshjet e fundit.

Drenica – Prishtina (ndeshjen e parë e fituan prishtinasit me rezultat 3:0):

Prishtina ka qenë në formë mbresëlënëse që nga rinisja e sezonit 2019/20, fillimisht duke shënuar fitore bindëse kundër Drenicës në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, e pastaj duke i fituar dy ndeshjet e radhës në Superligë për t’u ngritur nga pozita e katërt në atë të dytë.

Trajneri Prishtinës, Armend Dallku, i ka bërë të qarta synimet e tij për të luftuar për ty titujt, përderisa në emisionin sportiv “Favorit” ka thënë se synon të garojë për herë të parë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me bardhekaltrit.

Përderisa Ligën e Kampionëve mund ta sigurojë duke e fituar titullin e ligës, ku kreun aktualisht e mban Drita, daljen në Evropë mund ta sigurojë edhe përmes triumfit në Kupën e Kosovës.

Për të kaluar në finale, Prishtinës i duhet të evitojë humbje me deficit prej katër golash ose më shumë në ndeshjen kthyese, që zhvillohet sot, ndërsa fitorja 3:0 e Drenicës do ta çonte ndeshjen në shtesë dhe pastaj potencialisht në penallti.

Drenica vjen në këtë ndeshje pasi fitoi me rezultat 2:0 kundër Llapit dhe barazoi pa gola kundër Ballkanit, mirëpo faqja zyrtare e Prishtinës i ka publikuar disa statistika të cilët e favorizojnë klubin kryeqytetas për ta zënë vendin në finale.

Duke i parë statistikat, Prishtina jo vetëm me 4 gola, por as me 3 gola epërsi nuk është mposhtur asnjëherë në Skenderaj. Nga 27 ndeshjet e zhvilluara në Skenderaj, Drenica e ka vetëm një fitore me dy gola epërsi, 2:0 më 2014.

Prishtina nga 7 përballjet e fundit – 6 ka fituar prej tyre dhe 1 ka barazuar. Prej tyre 3 i ka të fituar në Drenicë. Kuqezinjtë fitoren e fundit e kanë më 2018, 1:0.

(Kosova Sot Online )