Ja si e festoi Bayerni titullin në stadiumin pa tifozë

  • 17 June 2020 - 13:36
Ja si e festoi Bayerni titullin në stadiumin pa tifozë

Bayern Munichu u bë skuadra e parë që e fiton titullin e kampionatit vendor pas rinisjes së sezonit. Megjithatë, pamjet nga festa e lojtarëve të Bayernit tregojnë se as kampionët e ligave të tjera s’do të kenë shumë arsye për të festuar.

Goli i shënuar nga Robert Lewandowski në pjesën e parë të fitores me rezultat 1:0 të Bayernit kundër Werder Bremenit të Milot Rashicës, i mjaftoi Bayernit ta sigurojë titullin, përkundër kartonit të kuq me të cilin u ndëshkua Alphonso Davies afër fundit të ndeshjes.

E përkundër që ky është titulli i tetë radhazi i Bundesligës që Bayerni e fiton, ai ishte paksa më i veçantë – pasi që përhapja e koronavirusit në botë ka bërë që ndeshjet të duhet të zhvillohen pa tifozë në stadiume.

Në mungesë të tifozëve, lojtarët e Bayernit do të duhet të mjaftohen me festën që e bënë në stadiumin e zbrazët të martën, pasi që rregullat për koronavirus bëjnë që të mos lejohet as paradë për festimin e titullit, përkundër që Lewandowski tha se shpreson për një tjetër zgjidhje.

“Ne jemi kampionë të Gjermanisë. Natyrisht se është paksa e komplikuar pasi që s’mund të festojmë me tifozët. Ajo pjesa shtesë, ai pasioni po na mungon”, u shpreh sulmuesi polak.

“Ne jemi me të vërtetë të kënaqur, nuk ka qenë një sezon i lehtë. Ne kemi qenë duke luftuar për titullin që një kohë të gjatë. Shpresoj se do të mundë të festojmë me tifozë në stadium së shpejti”.

(Kosova Sot Online)