Gjilani vazhdon presionin ndaj Dritës për kreun e ligës, Flamurtari fiton duelin për mbijetesë

  • 20 June 2020 - 18:55
Gjilani vazhdon presionin ndaj Dritës për kreun e ligës, Flamurtari fiton duelin për mbijetesë

Gjilani arriti të fitojë me rezultat 3:0 kundër Vushtrrisë, duke vazhduar kështu presionin ndaj rivalit të qytetit Dritës dhe konkurrentëve të tjerë për titull – përderisa Flamurtari e fitoi përballjen direkte për mbijetesë kundër Drenicës.

Xhiroja e 25-të e Superligës së Kosovës i solli tri ndeshje interesante të shtunë, dy prej të cilave filluan në orën 17:00 – Gjilani kundër Vushtrrisë dhe Drenica kundër Flamurtarit.

Gjilani 3:0 Vushtrria

Gjilani arriti të ngrihet, të paktën përkohësisht, në pozitën e dytë të tabelës së SUperligës pas fitores me rezultat 3:0 kundër Vushtrrisë, e cila ndodhet e parafundit në tabelën e Superligës dhe tashmë po shkon drejt rënies në Ligën e Parë, nivelin e dytë të futbollit në Kosovë.

Këtë fitore në stadiumin e qytetit në Gjilan, vendasit arritën ta fitojnë falë golit të shënuar nga Muamel Svraka në minutën e 36-të, golit të bukur të shënuar nga Franc Veliu nga gjuajtja e lirë në minutën e 58-të të ndeshjes, si dhe golit të Rrazak Keitas pak momente para fundit.

Drenica 0:2 Flamurtari

Flamurtari arriti ta mposhtë në shtëpi Drenicën me rezultat 2:0, në ndeshjen ku u takuan, dy klubet të cilat ndodhen menjëherë mbi zonën e rënies nga liga.

Flamurtari e fitoi këtë duel për mbijetesë kundër vendases Drenicës, që javën e kaluar e mori një fitore 2:0 kundër Llapit, për të cilën u hodhën dyshime për kurdisje.

Flamurtarit ia dhuruan këto tre pikë Shend Kelmendi dhe Adem Maliqi me dy golat e tyre, përderisa Drenica e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, shkaku i ndëshkimit të Edon Pasomas me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin. 

(Kosova Sot Online)