Mourinho përdor statistika të rreme për ta mbrojtur veten

  • S.A /
  • 23 June 2020 - 09:52
Mourinho përdor statistika të rreme për ta mbrojtur veten

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, ka tentuar t’i kundërpërgjigjet Paul Mersonit lidhur me menaxhimin që po ia bën sulmuesit Harry Kane, i cili s’e ka vazhduar formën e mirë si golashënues nën drejtimin e portugezit. Megjithatë, Mourinho tentoi ta mbrojë veten duke e krahasuar anglezin me ish-sulmuesit e tij, duke përdorur statistika të rreme.

Jose Mourinho është bërë i njohur shpeshherë për fjalimet e tij kritike në konferencat për shtyp gjatë viteve të fundit. Në vitin 2017 kishte folur se si gjyqtarët kanë agjendë kundër Chelseat të tij, e kishte ofenduar vetë klubin e tij, Manchester Unitedin, pasi kishte pësuar disfatë kundër Sevillas në Ligën e Kampionëve, dhe së fundi kur u kishte kërkuar gazetarëve ta respektojnë atë sepse i ka tre medalje të arta të Premierligës.

Megjithatë, fjalimi i tij i fundit në një konferencë për shtyp nuk u bë i famshëm shkaku i eksplozivitetit të tij, por pasi që ai i ekzagjeroi statistikat.

Pasi analisti i Sky Sports Paul Merson e kritikoi portugezin duke thënë se po e çon poshtë sulmuesin anglez Kane, i cili i ka shënuar shtatë gola në 11 ndeshje për Mourinhon, mirëpo që është kritikuar shkaku i paraqitjes së tij kundër Manchester Unitedit.

Mourinho iu përgjigj Mersonit duke thënë se ai di si duhet t’i menaxhojë sulmuesit, duke përmendur statistika për ish-sulmuesit e tij – Didier Drogba, Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, Diego Milito dhe Zlatan Ibrahimovic – statistika që ishin të rreme.

Trajneri i Tottenhamit tha se në katër sezonet sa e kishte menaxhuar Drogbën, sulmuesi i kishte shënuar 186 gola. Megjithatë, Drogba i kishte shënuar gjithsej 164 në të gjithë karrierën e tij me Chelsean, ndërsa vetëm 73 prej tyre me Mourinhon.

Mourinho gjithashtu përdori statistika të pasakta kur foli për Zlatanin, pasi që tha se i kishte kaluar vetëm një sezon e gjysmë me sulmuesin veteran, përderisa me të kishte qenë për më shumë se 100 ndeshje përgjatë tre sezoneve.

(Kosova Sot Online )