Superliga sjell një luftë për mbijetesë dhe dy duele që përballin ëndrrat e katër klubeve

  • S.A /
  • 24 June 2020 - 09:03
Superliga sjell një luftë për mbijetesë dhe dy duele që përballin ëndrrat e katër klubeve

Xhiroja e 26-të e Ipko Superligës së Kosovës do të nisë me tri ndeshje interesante sot në orën 16:45 – një përballje e drejtpërdrejtë për luftën për mbijetesë dhe dy përballje mes klubeve që po garojnë për titull kundër dy që pothuajse kanë humbur shpresat për mbijetesë.

Trepça 89 – Flamurtari

Në orën 16:45 në stadiumin Riza Lushta në Mitrovicë do të zhvillohet një përballje interesante mes Trepçës ’89 dhe Flamurtarit, dy klubeve që po luftojnë për mbijetesë në Superligën e Kosovës.

Flamurtari vjen në këtë duel – që premton të jetë argëtues bazuar në rezultatet e dy ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon mes dy klubeve (5:1 për Trepçën ’89 dhe 4:3 për Flamurtarin) – pas një fitoreje të rëndësishme kundër Drenicës, ndërsa vendasit pësuan disfatë kundër Ballkanit në xhiron e fundit.

Vendasit do të shpresojnë ta marrin një fitore në këtë përballje në mënyrë që t’i afrohen Flamurtarit dhe t’i rrisin gjasat për të dalë nga zona e rrezikut para fundit të kampionatit.

Vushtrria – Drita

Në të njëjtin orar, por në stadiumin Ferki Aliu në Vushtrri, do të zhvillohet përballja mes dy klubeve që po luftojnë për synime plotësisht të kundërta – Drita për titull e Vushtrria për mbijetesë.

Drita e mban aktualisht kreun e Superligës dhe do të synojë të marrë fitore për ta siguruar kreun edhe për këtë xhiro, ndërsa Vushtrria, përkundër renditjes si e parafundit, s’e ka humbur shpresën dhe shpreson të dalë nga kjo ndeshje me rezultat pozitiv.

Dukagjini – Gjilani

Me një klub në fund të tabelës, Dukagjinin, do të përballet edhe rivali i qytetit i Dritës, Gjilani. Edhe Gjilani do ta nisë ndeshjen në stadiumin 18 Qershori në Klinë me synimin për t’i marrë tre pikët në mënyrë që ta vazhdojë garën për titull. Ndërkohë, Dukagjinit tashmë pothuajse i kanë humbur të gjitha shpresat për mbijetesë.

(Kosova Sot Online )