Aguero: Operacioni shkoi me sukses
Sulmuesi i Manchester City, Sergio Aguero, ka njoftuar se është operuar me sukses në gjurin e këmbës së majtë të mërkurën.
Aguero udhëtoi drejt Barcelonës për trajtim te kirurgu i mirënjohur, Dr Ramon Cugat, i cili i ka operuar shumë futbollistë të Manchester City në vitet e fundit, pasi e pësoi një lëndim serioz të hënën kundër Burnley.
City nuk ka njoftuar se kur pritet të rikthehet 32-vjeçari, por ai nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve, e cila rinis në gusht.
Aguero shkroi në Twitter se operacioni i ka shkuar me sukses.
“Çdo gjë shkoi mirë dhe së shpejti do ta fillojë riaftësimin. Një falënderim i madh i takon Dr Cugatit dhe ekipit të tij, si dhe të gjithë juve për përkrahjen”, shkroi Aguero.
Golashënuesi më i mirë në histori të City e braktisi fushën duke çaluar pak para përfundimit të pjesës së parë në fitoren e skuadrës së tij kundër Burnley në Premierligë në Etihad Stadium.
(Kosova Sot Online)