Fernandes: S’dua të flas shumë për veten dhe Pogban

  • S.A /
  • 01 July 2020 - 09:18
Fernandes: S’dua të flas shumë për veten dhe Pogban

Mesfushori i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, e pranoi se ai nuk dëshiron të flasë shumë bashkëpunimin mes tij dhe Paul Pogbas, pasi ata të dy u ndihmuan Djajve të Kuq ta marrin një tjetër fitore të rëndësishme.

Manchester Unitedi e mposhti me lehtësi Brightonin, përkundër që po luante si mysafir, duke fituar me rezultat 3:0 në Falmer Stadium, të martën në mbrëmje. Mason Greenwood e shënoi golin e parë të ndeshjes me një goditje të bukur në minutën e 16-të, para se Fernandes ta dyfishonte epërsinë në minutën e 29-të të ndeshjes.

Pikërisht këta dy bashkëpunuan edhe golin e tretë të Djajve të Kuq, pasi që Fernandes shënoi me vollej pas harkimit të mirë në zonë nga Greenwood.

Ky është goli i gjashtë i portugezit për Manchester Unitedin në 13 ndeshjet e zhvilluara që nga transferimi i tij në janar. Kontributi i tij ka bërë që Manchester Unitedi ta përmirësojë pozitën në tabelë, duke mbetur vetëm dy pikë larg Chelseat, që radhitet në vendin e katërt.

Shumë është folur për bashkëpunimin mes tij dhe Paul Pogbas, i cili tani është kthyer nga lëndimi i tij. Mirëpo, portugezi dëshiron që të mos jetë i gjithë fokusi te ata dy.

“Nuk dua të flas shumë për veten dhe Paul Pogban, ne luajmë bashkë me shumë kënaqësi, por unë luaj me kënaqësi edhe me të tjerët”, ka thënë Fernandes për Sky Sports.

“Ne mund të kombinojmë me njëri-tjetrin, kemi cilësi të mirë, por e dimë se kemi edhe bashkëlojtarë të tjerë që mund të bëjnë punë të mirë. Gjëja më e rëndësishme është fitorja, por ne luajtëm mirë dhe rezultati ishte i mirë”.

(Kosova Sot Online )