“Dua të qaj, sinqerisht” – Familja e Griezmann e sulmon ashpër trajnerin e Barcelonës

  • S.A /
  • 02 July 2020 - 10:22
“Dua të qaj, sinqerisht” – Familja e Griezmann e sulmon ashpër trajnerin e Barcelonës

Familja e Antonio Griezmann e ka sulmuar me kritika të ashpra trajnerin e Barcelonës, Quique Setien, pas barazimit të skuadrës 2:2 me Atletico Madridin të martën, në të cilin sulmues francez luajti vetëm dy minuta.

Dështimi për të fituar nënkupton se Barcelona tani duhet të shpresojë se lideri i La Ligës, Real Madridi, do të lëshojë pikë të paktën në dy prej gjashtë ndeshjeve të mbetura deri në fund të sezonit, në mënyrë që të ketë mundësi ta mbrojë titullin.Trajneri Setien është ai që po e ndien më së shumti presionin në klub dhe mund të shkarkohet nga posti, nëse nuk arrin ta drejtojë skuadrën drejt fitimit të Ligës së Kampionëve apo La Ligës.

Në një ndeshje ku Barça e pati dy herë epërsinë dhe nuk arriti ta mbrojë, sulmuesi francez Griezmann u fut në lojë në kohën shtesë dhe nuk pati më shumë se dy minuta për ta treguar veten, edhe pse e kaloi gati gjithë pjesën e dytë duke u ngrohur.

Kjo ishte hera e tretë në katër ndeshjet e fundit që Griezmann paraqitet për Barcelonën nga banka rezervë. Barça barazoi në të gjitha këto tri ndeshje, ndërsa i ka fituar tri të tjera në të cilat francezi ishte titullar që prej rikthimit të futbollit.

Familja e futbollistit ka shpërthyer duke mos u përmbajtur ndaj Setien.

Vëllai i Griezmann, Theo, e kritikoi Setienin në Twitter: “2 minuta…. dua të qaj, sinqerisht”.

Alain Griezmann, babai i fituesit të Kupës së Botës, nuk e kurseu trajnerin po ashtu, i cili kishte refuzuar t’i kërkonte falje sulmuesit pas ndeshjes.

“Ta bësh një deklaratë të tillë, duhet t’i bartesh çelësat e kamionit. Por nuk është kështu. Ti je thjesht udhëtar”, shkroi Alian.

(Kosova Sot Online )