Trajneri i Bayern Munich: Lewandowski e meriton Topin e Artë

  • A.P /
  • 05 July 2020 - 14:13
Trajneri i Bayern Munich: Lewandowski e meriton Topin e Artë

Trajneri i Bayern Munich, Hansi Flick, thotë se Robert Lewandowski mund ta fitojë Topin e Artë, pasi e mbylli sezonin e tij kombëtar me 51 gola.

Sulmuesi polak ka fituar titullin e kampionit në Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë me bavarezët, në sezonin aktual, ndërsa vijon ta synojë edhe trofeun në Ligën e Kampionëve.

Bomberi në fjalë shënoi dy herë në finalen e mbrëmshme, ku të tijtë fituan lehtësisht 4-2 ndaj Bayer Leverkusen.

Edhe kjo finale konfirmoi formën e jashtëzakonshme të Lewandowski më 2019-2020, i cili i tejkaloi “gjysmëshekulli” gola, në të gjitha garat. Po kështu, ai ka shënuar 11 gola në Champions, këtë edicion, teksa gara në fjalë përgatitet të kthehet muajin tjetër me sfidat e fundit të kthimit të 1/8 finale dhe pastaj çerekfinale e në vijim. Trajneri Flick e mbështet sulmuesin e tij për lavdi, fitimin e “Topit të Artë”:

“51 gola janë një pajë mbresëlënëse për cilindo sulmues në botë. Të dy golat e Lewandowski në finale të Kupës së Gjermanisë ishin të shkëlqyer. Mënyra se si ai e merr topin dhe se si shënon është unike. Sigurisht, ka pasur edhe pak fat, por ka shumë besim në cilësitë e tij.  Nëse ka shënuar 34 gola në Bundesligë këtë sezon, atëherë mund të mendoni se një lojtar nga kampionati ynë mund të bëhet fituesi i Topit të Artë. Rivalët e tij janë jo pak mbrapa në këtë drejtim. Pra, pse jo. Ai i ka hedhur të gjitha themelet me arritjet e këtij viti, ndaj do ta meritonte cmimim prestigjioz”, tha Flick.

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, e fitoi Topin e Artë vitin e kaluar, duke sfiduar Virgil van Dijk dhe Cristiano Ronaldo. Lojtari i fundit i Bayernit që fitoi trofeun prestigjioz individual ishte Karl-Heinz Rummenigge, më 1981.

Sezoni i Lewandowski nuk ka mbaruar, me sulmuesin polak të vendosur të jetë golashënues përsëri në gusht, kur të rifillojë Championsi. Bayerni mposhti Chelsea 3-0 në ndeshjen e parë të 1/8 finale, më 16 shkurt, dhe e sheh veten thuajse të sigurt në çerekfinale.

(Kosova Sot Online)