Zbulohet e vërteta mbi skandalin e Barcelonës me rrjete sociale

  • S.A /
  • 07 korrik 2020 - 08:01
Zbulohet e vërteta mbi skandalin e Barcelonës me rrjete sociale

Një auditim i lidhjes mes Barcelonës dhe kompanisë I3 Ventures ka zbuluar se klubi nuk e kishte përdorur marrëveshjen mes dy palëve për t’ua prishur reputacionin palëve të treta.

Marrëveshja e Barcelonës me kompaninë e marrëdhënieve me publikun, I3 Ventures, u zbulua në shkurt pas pretendimeve se firma ishte punësuar për ta përmirësuar imazhin e presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeu, në rrjete sociale dhe për t’i kritikuar disa lojtarë e ish-lojtarë të klubit.

Edhe Barcelona e edhe kompania I3 Ventures i kishin mohuar këto pretendime dhe një auditim i bërë nga PricewaterhouseCoopers (PwC) tani ka zbuluar se klubi nuk kishte nisur asnjë kampanjë përgojuese kundër ndonjë individi.

Duke i treguar gjetjet kryesore nga raporti i adutimit, Barcelona shkroi se “kontraktimi i shërbimeve të ndryshme për t’i monitoruar dhe analizuar rrjetet sociale në emër të Barcelonës nuk përfshin kampanja përgojuese të drejtuara te palët e treta”.

PwC gjithashtu nuk gjeti asnjë provë për akuzat e korrupsionit financiar dhe përcaktoi se çmimi i paguar nga Barcelona për shërbimet e I3 Ventures ishte brenda gamës së çmimeve të tregut.

Duke u përgjigjur ndaj këtyre gjetjeve të reja, Barcelona tha: “Bordi i Drejtorëve udhëzon shërbimet ligjore të klubit të vazhdojnë dhe, nëse është e nevojshme, të ndërmarrë veprimet relevante ligjore kundër atyre që bënë akuza të rreme dhe të pabaza dhe që e kanë dëmtuar imazhin e klubit dhe personave brenda tij”.

“Përmbajtja e këtij raporti dhe përfundimet e tij do të përdoren në ato padi ligjore të ngritura ndaj klubit me akuzat për sjellje të pretenduar të parregullt, të cilat ky dokument i qartëson dhe mohon”.

(Kosova Sot Online )