Lloris flet pas zënkës me Son

  • S.A /
  • 07 July 2020 - 11:25
Lloris flet pas zënkës me Son

Hugo Lloris thotë se zënka e tij me Heung-min Son pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes të Tottenhamit kundër Evertonit erdhi si pasojë e mungesës së presionit ndaj kundërshtarëve gjatë ndeshjes.

Përkundër që Tottenhami ishte në epërsi minimale pas pjesës së parë, Lloris dhe Son u kapën mes vete dhe u desh të ndahen nga Giovani Lo Celso dhe Harry Winks përderisa portieri francez e konfrontoi në mënyrë agresive sulmuesin koreano-jugor.

Dyshja i zgjidhi problemet mes vete pas pjesës së parë, ndërsa Tottenhami arriti ta fitojë ndeshjen me autogolin e shënuar nga Michael Keane në minutën e 24-të, që mbeti e vetmja në këtë ndeshje.

Llorisi e pranoi se ai ishte zemëruar shkaku i mungesës së presionit ndaj kundërshtarëve nga bashkëlojtarët e tij. “Kjo përket në zhveshtore. Jashtë, ju mund të thoni çfarëdo që të doni. Kemi shumë respekt mes lojtarëve në zhveshtore. Ajo çfarë ndodhi mes meje dhe Sonnyt është thjesht pjesë e futbollit nganjëherë. Por, s’ka problem”, ka thënë Lloris. “Ju mund ta shihnit që në fund të ndeshjes ne ishim më se të lumtur të jemi pjesë e skuadrës dhe t’i marrim tre pikët”. “Kur e rrezikuam veten me një rast pak para pjesës së parë vetëm pse nuk bëmë mjaftueshëm presion… po, kjo më zemëroi, por kjo është pjesë e futbollit. Tani vazhdojmë përpara”.

(Kosova Sot Online )