Agjenti, i sigurt se James s’do të huazohet: Ai është i rëndësishëm në United

  • A.P /
  • 08 July 2020 - 12:17
Agjenti, i sigurt se James s’do të huazohet: Ai është i rëndësishëm në United

Daniel James nuk do të huazohet në ndonjë klub gjatë afatit kalimtar të verës, sipas agjentit të tij Jonathan Barnett, i cili thotë se sulmuesi anësor uellsian është tani “pjesë e madhe” e skuadrës së Manchester Unitedit.

Uellsiani Daniel James u bë transferimi i parë i Ole Gunnar Solskjaerit si trajner permanent, kur u transferua nga wëansea në qershor të vitit 2019.

Djajtë e Kuq paguan 15 milionë funte për t’i siguruar shërbimet e tij nga klubi i nivelit të dytë të futbollit në Angli, ku ai ishte bërë i njohur si njëri ndër talentet më premtues në Championship.

22-vjeçari nënshkroi kontratë pesëvjeçare në Old Trafford dhe e nisi për mrekulli karrierën e tij në Premierligës, duke shënuar në debutimin e tij, në fitoren me rezultat 4:0 kundër Chelseat.

James i shënoi edhe dy gola të tjerë në tri ndeshjet e radhës për Manchester Unitedin, para se ta humbiste pozitën në formacionin e parë dhe të kalonte nëpër një ecuri më të dobët të ndeshjeve.

Pasi që ai s’ka luajtur shumë minuta në ndeshjet e fundit, mediumet angleze kanë sugjeruar se ai do të huazohet në ndonjë klub të ri për sezonin e ardhshëm, por agjenti i tij, Barnett, thotë se këto spekulime s’janë të vërteta.

“Jo, ai është pjesë e madhe dhe e rëndësishme e skuadrës së Manchester Unitedit. Unë e shoh atë duke luajtur edhe më tutje për Manchester Unitedin”, ka thënë Barnett.

“Mendoj se nëse nuk e ke karakterin për të luftuar për një vend në skuadër, atëherë s’duhet të shkosh në Manchester United. Ne e kemi përgjegjësinë t’u ndihmojnë atyre dhe t’ua theksojmë këto gjëra. Në rastin e Daniel, është e qartë se ai e ka këtë karakter”.

(Kosova Sot Online)