Pas zënkës me tifozin, Dier suspendohet për katër ndeshje

  • A.P /
  • 08 July 2020 - 13:15
Pas zënkës me tifozin, Dier suspendohet për katër ndeshje

Pas zënkës me tifozin, Dier suspendohet për katër ndeshje

Eric Dier është dënuar me suspendim prej katër ndeshjeve, pasi i kishte kapërcyer rrethojat e stadiumit dhe kishte hyrë në tribuna për t’u konfrontuar me një tifoz, pas disfatës së Tottenhamit kundër Norwichit në rundin e pestë të FA Cup.

Mesfushori defansiv i kishte kapërcyer pankartat e sponsorëve dhe kishte hyrë në tribunë për ta ndjekur një tifoz pas humbjes në gjuajtje të penalltive në mars. Videot e këtij incidenti ishin bërë virale në rrjete sociale.

Dënimi i Dier me suspendim do të aplikohet menjëherë, ndërsa anglezi është ndëshkuar edhe me gjobë prej 40 mijë funtesh.

Sipas Federatës angleze, Dier e kishte pranuar vetë se kishte bërë sjellje të pahijshme, por kishte thënë se veprimet e tij nuk ishin agresive – pretendim ky që s’u pranua nga autoritetet e futbollit anglez.

“Lojtari i Tottenhamit e pranoi se veprimet e tij pas përfundimit të ndeshjes kundër Norwich Cityt në FA Cup më 4 mars 2020 ishin të pahijshme, por mohoi që ato veprime të kenë qenë kërcënuese”, thuhet në njoftimin e Federatës.

“Komisioni i Pavarur Disiplinor vendosi se veprimet e Eric Dier ishin kërcënuese”.

Dier thuhet se e konfrontoi tifozin për shkak se ai ishte përfshirë në një zënkë me vëllain e futbollistit.

(Kosova Sot Online)