Shpërthejnë Dallku dhe Curri: Turp dhe krim, kështu s’na ka ndodhur as në Beograd me Kombëtaren

  • E.K /
  • 08 July 2020 - 21:05
 Shpërthejnë Dallku dhe Curri: Turp dhe krim, kështu s’na ka ndodhur as në Beograd me Kombëtaren

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku dhe ndihmësi i tij, Debatik Curri, nuk janë përmbajtur në kritika dhe akuza ndaj gjyqtarëve, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Policisë, pas humbjes së bardhekaltërve 2:1 kundër Gjilanit të mërkurën.

Klubit nga kryeqyteti i Kosovës e bëri një hap mbrapa në garë për titull në Superligë këtë sezon, duke humbur kundër kundërshtarit të drejtpërdrejt për titull në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

Në një ndeshje të tensionuar dhe me polemika për shkak të përjashtimit të portierit të bardhekaltërve, Visar Bekaj, nga loja në fillim të pjesës së dytë, Dallku dhe Curri u kërkuan llogari gjyqtarëve duke i rrethuar në fushë.

Pas një diskutimi të zëshëm dhe të ashpër, zyrtarët policorë reaguan duke i largua ata dhe stafin e Prishtinës me sprej.  

Curri thotë se FFK-ja është përgjegjëse për atë që ndodhi, duke e bërë një krahasim mes incidentit të Kombëtares së Shqipërisë në një ndeshje kualifikuese kundër Serbisë në Beograd, e cila ishte ndërprerë për shkak të lëshimit të dronit me flamur shqiptar, dhe asaj që ndodhi sot në Gjilan.

“Është një turp kjo që ndodhi këtu dhe Federata duhet të mbajë përgjegjësi me këta arbitra që cakton, që nuk dihet se kujt i shërbejnë. Atë që na kanë bërë këtu, nuk e kam parë as në Serbi kur kam qenë me Kombëtaren. Për ndeshjen nuk kam çfarë të flas, pasi të gjithë e panë që ishte një maskaradë”, tha Curri për Supersport.

Edhe Dallku ishte po aq i ashpër, duke e quajtur kriminale sjelljen e Policisë së Kosovës.

“Është një sjellje kriminale, në fillim e arbitrave në fushë dhe më pas e atyre që më hodhën spraj në sy. Unë akoma tani nuk arrij të shoh mirë dhe nuk e kuptova pse duhej përdorur spraj ndaj meje, që po debatoja normalisht me arbitrat. Zoti ua marrtë hakun 10 herë më rëndë atyre që më trajtojnë kështu”, tha Dallku.

(Kosova Sot Online)