Çfarë ka thënë Federata për ndeshjen mes Gjilanit dhe Prishtinës

  • S.A /
  • 09 July 2020 - 09:37
Çfarë ka thënë Federata për ndeshjen mes Gjilanit dhe Prishtinës

Federata e Futbollit e Kosovës ende s’i ka adresuar zyrtarisht incidentet e së mërkurës gjatë dhe pas ndeshjes mes Gjilanit dhe Prishtinës, por vetëm ka publikuar një raport nga ndeshja, ku nuk përmenden incidentet e ndodhura.

Prishtina u mund 2:1 nga Gjilani në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, në një ndeshje të tensionuar, një pjesë lojë të së cilës e zhvilloi me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit kontrovers të portierit Visar Bekaj, direkt me karton të kuq.

Pas ndeshjes pati tensione në fushë, me trajnerin Dallku dhe stafin e tij që shkuan për t’u kërkuar sqarime gjyqtarëve të ndeshjes, ndërsa policia ndërhyri me sprej.

Kryeqytetasit kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga garat shkaku i këtyre incidenteve, ndërsa kanë kërkuar që të ndërrohet Komisioni për Delegimin e Gjyqtarëve dhe të dënohen gjyqtarët.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës nuk ia ka adresuar ende këto ngjarje, përderisa ka shkruar për ndeshjen në fjalë vetëm lidhur me rezultatin në fushën e lojës.

“Gjilani ka shënuar fitore në shtëpi në duelin tejet të rëndësishëm kundër Prishtinës, me rezultat 2:1, në një ndeshje që në fund ka ngjallur polemika. Në pjesën e parë të dyja ekipet zhvilluan lojë të fortë, por mbrojtjet e të dyja skuadrave ishin në nivelin e detyrës”, thuhet në njoftimin e Federatës.

“Ndeshja mori rrjedhë tjetër në minutën e 48-të, kur Prishtina mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të portierit Visar Bekaj, për ndërhyrje jashtë zonës së 16-metërshit. Pikërisht nga kjo ndërprerje gjilanasit kaluan në epërsi, kur Franc Veliu me gjuajtje të shkëlqyeshme realizoi për 1:0”.

“Prishtina u përpoq të kundërpërgjigjet menjëherë, por pësoi nga një kundërsulm i shpejt dhe dalje e pasigurt e portierit Eglant Haxho, të cilën e shfrytëzoi Eduard Progni për 2:0”.

“Në vazhdim Prishtina u përpoq me të gjitha forcat për të ndryshuar epilogun e takimit, por nuk arriti më shumë se sa të shënojë golin e nderit në minutën e 81-të, kur Armend Thaçi realizoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë. Me këto tri pikë Gjilani ngjitet në pozitën e tretë, me 58 pikë, derisa Prishtina zbret në pozitën e katërt”.

(Kosova Sot Online )