Tri xhirot finale në IPKO Superligë, gjithçka e hapur për titull

  • S.A /
  • 15 July 2020 - 14:36
Tri xhirot finale në IPKO Superligë, gjithçka e hapur për titull

Tri xhirot e fundit të IPKO Superligës do të jenë mjaft interesante, kampioni mund të vendoset në xhiron e fundit të edicionit 2019/2020. IPKO Superliga e Kosovës në futboll po hyn në fazën e fundit të sezonit.Kur kanë mbetur edhe tri xhiro pa përfunduar kampionati, gjithçka mbetet e hapur sa i përket titullit të kampionit.Janë katër skuadra që janë ende në garë për titull, Drita, Ballkani, Gjilani e Prishtina.

Drita është lidere në tabelë, tri pikë më shumë se Ballkani. “Intelektualët” i presin dy ndeshje të vështira në tri xhirot e fundit. Këtë fundjavë, ekipi i Ardian Nuhiut do të ketë punë me Gjilanin, në derbin lokal. Më pas, Drita do ta presë Drenicën dhe në ndeshjen e fundit do të ballafaqohet me Ballkanin. Kjo ndeshje, e fundit për sezonin 2019/2020 mund ta përcaktojë edhe kampionin njëjtë siç ka ndodhur viteve të fundit. Drita duhet t’i fitojë së paku dy nga tri ndeshjet e fundit për t’u shpallur edhe matematikisht kampione. Ballkanin ndërkohë e presin tri ndeshje jashtëzakonisht të vështira. Therandasit do ta presin në fundjavë Prishtinën, e më pas do të luajnë me dy skuadrat e Anamoravës, i shkojnë Gjilanit dhe e presin Dritën. Ballkani duhet t’i fitojë këto tri ndeshje për t’u shpallur kampion i Kosovës. Në garë për titull mbetet edhe Gjilani. Skuadra e Gentjan Mezanit aktualisht i ka katër pikë më pak se liderja Drita. Të Kuqtë synojnë ta mposhtin rivalin lokal në fundjavë, për t’iu afruar edhe më shumë titullit. Më pas, Gjilani do të mundohet ta mund edhe Ballkanin dhe në fund do të ketë punë me Flamurtarin në kryeqytet. Nëse i fiton këto tri ndeshje, Gjilani ka arsye të besojë për titull. E Prishtina ka mbetur paksa më prapa. Bardh e kaltrit i kanë shtatë pikë më pak se Drita. Andaj, kryeqytetasit do të bëheshin kampionë vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli. Ekipi i Armend Dallkut e viziton të shtunën Ballkanin. E më pas do të ketë punë me dy skuadrat që po luftojnë për mbijetesë, Flamurtari dhe Trepça ’89. Sa i përket pjesës së poshtme të tabelës, Dukagjini, Vushtrria e Ferizaj tashmë janë përshëndetur me IPKO Superligë. Pozitës së katërt që çon në Ligën e Parë po mundohen t’i shmangen Trepça ’89, Drenica dhe Flamurtari. “Xehetarët” janë më të rrezikuarit për momentin.

(Kosova Sot Online )