Vazhdon zënka mes Guardiolës dhe presidentit të La Ligës: CAS ka vdekur

  • S.A /
  • 16 July 2020 - 09:00
Vazhdon zënka mes Guardiolës dhe presidentit të La Ligës: CAS ka vdekur

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i ka vazhduar kritikat e tij drejt Manchester Cityt, duke sugjeruar se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) bëri gabim që ia shfuqizoi klubit dënimit nga UEFA për suspendim nga garat evropiane.

Pep Guardiola e mori një lajm shumë të mirë të hënën, kur CAS vendoi ta shfuqizojë pjesërisht dënimin e UEFA. CAS vendosi t’ia shfuqizojë Cityt dënimin me mospjesëmarrje në garat evropiane për dy sezone, të cilin klubi e kishte marrë mbi akuzat se kishte manipuluar me rregullat e ndershmërisë financiare (FFP).

Përveç shfuqizimit të dënimit për mospjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, CAS ia zvogëloi Manchester Cityt gjobën prej 30 në 10 milionë euro, si shkak i mosbashkëpunimit me UEFA gjatë procesit hetues.

Tebas ka qenë njëri ndër kritikët më të zëshëm të Manchester Cityt dhe pas lajmit për shfuqizimin e dënimit, Guardiola kishte thënë në një konferencë: “Ai e xhelozon shumë Premierligën. Herën tjetër do ta pyesim atë se te cila gjykatë duhet të shkojmë. Ai duhet të përqendrohet në La Liga”.

Kreu i La Ligës s’duroi dot pa iu përgjigjur kësaj deklarate të Guardiolës, duke e vënë ën dyshim vleftësinë e gjykimit të CAS-it dhe duke sugjeruar se manipulimet e Manchester Cityt janë të njohura për të gjithë në botën e futbollit.

“Manchester City do të jetë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Por jo për shkak se ata kanë vepruar ashtu siç duhet, por pasi që CAS-i ka bërë gabim”, ka thënë Tebas.

“Në fakt, CAS-i i ka gjobitur ata me 10 milionë euro, vetëm sa për të thënë. Nga ajo që kam mësuar, ajo gjobë është si pasojë e mosbashkëpunimit me UEFA-s. Pse e bënë këtë? Pse i ka fshehur City dokumentet? Do të doja ta lexoja gjykimin përfundimtar tani, nëse do të mundja’.

“Ashtu siç s’kemi pasur mundësinë të lexojmë për gjykimin e PSG-së nga CAS… edhe pse ka kaluar shumë kohë, ajo nuk është ende në dispozicion. Atë ditë që do ta lexoj atë, do t’ia tregoj Guardiolës atë për të cilën jam i sigurt: Manchester City nuk ka vepruar siç duhet”.

“CAS nuk është i përshtatshëm për të dhënë gjykime për industrinë e futbollit. Ne të gjithë e dimë çfarë bën CFity. Të gjithë në futboll e dimë këtë. Në fakt, ku ru mori vendimi për ta dënuar, askush në futbollin evropian nuk u befasua. Në fakt ishte e kundërta. Nuk do të them që u festua, por disa njerëz dolën dhe thanë se më në fund po sundonte drejtësia mbi klubet e drejtuara nga shtete”.

“Në vend të kësaj, pas vendimit të CAS-it, ka pasur protesta nga Klopp, Mourinho… Të gjithë e dinë se ata tentuan t’i shmangin rregullat e FFP-së. CAS ka vdekur, vendimet e kësaj gjykate kanë qenë të dyshimta tash e një kohë të gjatë”.

“CAS nuk është aspak transparent dhe kur i shikon emrat e gjyqtarëve, shpeshherë e di se cili do të jetë vendimi përfundimtar. Zvicra e ka një prestigj të mrekullueshëm në arbitrazh dhe CAS-i nuk i bën aspak nder”.

(Kosova Sot Online )