Alves: Messi është njeri, i duhet përkrahje në Barcelonë

  • E.K /
  • 18 July 2020 - 16:33
 Alves: Messi është njeri, i duhet përkrahje në Barcelonë

Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, thotë se është e dukshme që Lionel Messi është i zemëruar sepse atij po i mungon përkrahja në skuadër për t’i arritur qëllimet, duke shtuar se ai është vetëm njeri dhe s’mund të bëjë gjithçka i vetëm.

Kapiteni argjentinas së fundi e bëri të qartë zemërimin dhe zhgënjimin e tij me paraqitjet dhe rezultatet e Barcelonës gjatë këtij sezoni, pas ndeshjes të së enjtes, kur Barcelona pësoi disfatë në Camp Nou dhe Real Madridi e fitoi titullin.

Pas dy vjetëve radhazi si kampion i Spanjës, Barcelona e humbi garën për titull këtë sezon, ndërsa tani do të tentojë që ta mbyllë sezonin të paktën me trofeun e Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, Messi e ka shprehur shqetësimin e tij se nëse Barcelona nuk përmirësohet deri në gusht, kur rinisin ndeshjet e Ligës së Kampionëve, atëherë ai beson se katalonasit do të mposhten nga Napoli në fazën e 1/8 të finales.

Shqetësimet e Messit për të ardhmen e Barcelonës kanë bërë që të shtohen spekulimet se ai do të largohet nga Barcelona gjatë verës së vitit të ardhshëm, kur edhe i përfundon kontrata aktuale me klubin katalonas.

“Leo është një fitues i natyrshëm. Atij s’i pëlqen të humbasë. Kur skuadra humbet, është normale që ai zemërohet. Ai dëshiron që gjithmonë të fitojë, sikur unë. Ne gjithmonë duam të fitojmë”, ka thënë Alves, i cili luajti tetë vjet në Camp Nou, nga viti 2008 deri në 2016.

“Ai ka qenë duke e bërë këtë që një kohë të gjatë, ai e di kur njëra skuadër jep diçka e tjetra diçka tjetër. Për këtë arsye ai gjithmonë e thekson se çfarë funksionon dhe çfarë jo sepse ai i di këto gjëra”.

“Ai ka kaluar shumë vite në Barcelonë, ka përjetuar shumë gjëra dhe e di saktësisht çfarë i duhet skuadrës për të fituar. Mendoj se ai po e ndien që ka mungesë përkrahjeje”.

“Unë gjithmonë do të them se Messi është ushqimi kryesor dhe ne ishim përbërësit e përsosur për atë pjatë. Tani e kam ndjenjën se ai është duke bërë gjithçka, gjatë gjithë kohës, dhe ne duhet ta mbajmë mend që ai është vetëm njeri”.

(Kosova Sot Online)