Drejtori i Juventusit konfirmon të ardhmen e Ronaldos dhe Sarrit

  • S.A /
  • 21 July 2020 - 09:01
Drejtori i Juventusit konfirmon të ardhmen e Ronaldos dhe Sarrit

Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, ka thënë se edhe Cristiano Ronaldo e edhe Maurizio Sarri do të jenë pjesë e skuadrës së bardhezinjve sezonin e ardhshëm, përderisa dyshja po e vazhdon luftën për titull në Itali dhe Evropë këtë sezon.

Ish-trajneri i Chelseat arriti në Torino gjatë verës së vitit të kaluar si zëvendësues i trajnerit Massimiliano Allegri, pasi arriti t’ia fitojë klubit londinez titullin e Ligës së Evropës.

Megjithatë, Juventusi nuk është dukur aq bindës në garat në Itali këtë sezon, përkundër që e mban kreun e tabelës së Serisë A. Skuadra e Sarrit kishte dështuar të fitojë në tri ndeshjet parapraka para përballjes të së hënës me Lazion.

Pasi Interi, Atalanta dhe Lazio po tentonin t’i bënin presion Juventusit në pozitën e liderit, mediumet italiane kishin spekuluar se Sarri do të shkarkohej nga posti i trajnerit, pas dështimeve edhe në Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë.

Por, duke folur para ndeshjes të së hënës, të cilën Juventusi e fitoi me rezultat 2:1, Paratici tha se edhe Sarri e edhe Ronaldo do të qëndrojnë në klubin bardhezi përtej këtij sezoni.

“Të gjitha ato spekulime vijnë vetëm nga mediat. Unë kam qenë këtu që dhjetë vjet dhe ne kemi qenë liderë të ligës në nëntë prej atyre viteve pa ndërprerë”, ka thënë Paratici.

“Ne jemi të mësuara me këto spekulime, ne bëjmë shaka me to. Pa asnjë dyshim, Sarri do të jetë trajneri i Juventusit sezonin e ardhshëm”.

Paratici gjithashtu e konfirmoi edhe të ardhmen e Ronaldos, i cili po e shijon një sezon të këndshëm në Allianz Stadium në sezonin e tij të dytë pas transferimit nga Santiago Bernabeu.

“Ne kemi dialog me Cristianon, ashtu siç ka zakonisht mes trajnerëve dhe lojtarëve. Ai definitivisht do të qëndrojë dhe po vazhdon të bëjë punë shumë të mirë me ne”, shtoi Paratici.

(Kosova Sot Online )