Varane: Gjithçka mund të ndodhë kundër Cityt

  • S.A /
  • 21 July 2020 - 09:36
Varane: Gjithçka mund të ndodhë kundër Cityt

Raphael Varane beson se Real Madridi ka mundësi të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, përkundër që e ka humbur ndeshjen e parë të 1/8 të finales kundër Manchester Cityt.

Real Madridi e mbylli sezonin në La Liga me barazim me rezultat 2:2 kundër Leganes të dielën, pasi veçse e kishte fituar titullin e kampionit të Spanjës për herën e 34-t në histori të klubi.

Djemtë e Zinedine Zidane e fituan titullin e tyre të parë që nga viti 2017 pasi i grumbulluan pesë pikë më shumë sesa Barcelona gjatë sezonit 2019/20 në ligën elitare spanjolle. Tani, madrilenët kanë kohë tre javë të bëhen gati për kthimin e Ligës së Kampionëve.

Los Blancos kanë ende gjasa ta fitojnë trofeun e Ligës së Kampionëve, mirëpo për të shkuar drejt këtij qëllimi do të duhet fillimisht ta përmbysin rezultatin nga disfata me rezultat 2:1 kundër Manchester Cityt në ndeshjen e parë të 1/8 të finales.

Varane është i bindur se Real Madridi do të mundë ta përmbysë rezultatin në ndeshjen kthyese, që zhvillohet më 7 gusht, përkundër që City do ta zhvillojë këtë ndeshje si vendas në Etihad.

“Ne jemi Real Madridi dhe gjithçka është e mundur. Shpresa është gjithmonë me ne, edhe nëse situata është e vështirë”, ka thënë qendërmbrojtësi i Real Madridit.

“Kur ti e vesh këtë fanellë, ti e merr një përgjegjësi mbi vete. Ne e dimë që na pret një ndeshje e vështirë, por ne do t’i qasemi asaj me një uri të jashtëzakonshme”.

“Kjo është diçka që ua kemi borxh tifozëve tonë. Ne nuk mund ta parashikojmë rezultatin, por do të luftojmë deri në fund”.

(Kosova Sot Online )