Drita kërkon t’u kthehet fitoreve kundër Drenicës që lufton për mbijetesë

  • S.A /
  • 21 July 2020 - 09:53
Drita kërkon t’u kthehet fitoreve kundër Drenicës që lufton për mbijetesë

Drita do të tentojë t’i kthehet ecurisë së fitoreve të martën, pas humbjes kundër Gjilanit në Derbin e Anamoravës, në ndeshjen kundër Drenicës, e cila i kërkon tre pikët për ta siguruar mbijetesën.

Xhiroja e 32-të e Superligës së Kosovës, e parafundit, do të nisë sot në orën 17:00, kur Drita do ta presë në Gjilan skuadrën e Drenicës.

Drita aktualisht mban kreun e ligës, por ka vetëm një pikë më shumë se Gjilani dhe dy më shumë sesa Ballkani. Skuadra e Ardian Nuhiut do të tentojë t’i marrin tre pikët në mënyrë që t’i shfrytëzojë pikët e humbura nga cilido rival i saj, pasi që nesër ndeshen Gjilani me Ballkanin.

Në anën tjetër, tre pikët e kësaj ndeshjeje kanë rëndësi të madhe edhe për Drenicën, e cila është vetëm tre pikë larg zonës së rrezikut.

Përballja e parë e këtij sezoni mes dy skuadrave përfundoi me barazim 1:1, më 8 tetor të vitit 2019, ndërsa Drita e fitoi ndeshjen kthyese me rezultat 4:2 më 29 shkurt të këtij viti.

Dritës i duhet ta fitojë këtë ndeshje për të shkuar pastaj me më qetësi në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Ballkanit.

(Kosova Sot Online )