Drita mund të shpallet kampione qysh sot

  • A.P /
  • 22 July 2020 - 15:02
Drita mund të shpallet kampione qysh sot

Pas 32 ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon, Drita mund ta festojë titullin e kampiones së Kosovës qysh sot, përkundër që s’do të jetë në fushën e lojës fare.

Pas fitores me rezultat 1:0 kundër Drenicës të martën, Drita po shpreson për një barazim në duelin mes Gjilanit dhe Ballkanit që nis sot në orën 17:00.

Gjilani dhe Ballkani mund ta vazhdojnë ëndrrën për titull vetëm me fitore, ndërsa humbja apo barazimi ua eliminon të dyja skuadrave gjasat për ta fituar titullin.

Nëse skuadrat ndahen sot me barazim, Ballkani e ka të pamundur t’i arrijë pikët e Dritës, ndërsa Gjilani vetëm mund ta barazojë, që do të thotë se Drita shpallet kampione menjëherë.

Kjo pasi që edhe nëse Drita e humb ndeshjen e xhiros së fundit kundër Ballkanit dhe Gjilani e fiton ndeshjen kundër Flamurtarit për t’i barazuar pikët, Drita e ka epërsinë në ndeshjen e zhvilluara direkte kundër Gjilanit.

Në Kosovë merret parasysh rezultati në ndeshjet direkte në vendosjen e kampionit para goldallimit. Kjo i konvenon Dritës këtë herë, pasi që djemtë e Ardian Nuhiut i kanë fituar dy ndeshje kundër Gjilanit këtë sezon, ndërsa kanë humbur një herë. 

(Kosova Sot Online)