Zyrtare: Emery i kthehet futbollit, emërohet trajner i Villarrealit

  • G.G /
  • 23 July 2020 - 12:53
Zyrtare: Emery i kthehet futbollit, emërohet trajner i Villarrealit

Ish-trajneri i Arsenalit, Unai Emery, është kthyer në botën e futbollit, pasi është emëruar trajneri i ri i klubit të La Ligës, Villarrealit. Vetë klubi spanjoll e ka konfirmuar lajmin se Emeryt i është dhënë kontratë trevjeçare në klub.

Trajneri spanjoll ishte liruar nga detyra e tij si trajner në stadiumin Emirates në nëntor të vitit 2-19, pasi 18 muajve të vështirë në krye të klubit londinez.

Ai ishte emëruar trajner në Emirates si pasardhës i Arsene Wengerit, mirëpo e kishte pasur të vështirë t’i arrijë pritshmëritë e krijuara në klub.

Që kur është shkarkuar nga Arsenali, ish-trajneri i Sevillës dhe Paris Saint-Germainit ishte përfolur për emërimin si trajner në disa klube. Megjithatë, tani Villarreali e ka konfirmuar se Emery do të jetë trajneri i tyre i ri.

“Villarreali ka arritur marrëveshje me Unai Emeryn që trajneri bask të jetë trajneri i të Verdhëve për tre sezonet e ardhshme”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

Villarreali e mbylli sezonin 2019/20 të La Ligës në pozitën e pestë në tabelë, që do të thotë se do të garojë në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm – garë kjo në të cilën Emery ka pasur suksese të mëdha me Sevillën.

(Kosova Sot Online)