Mustafi e humb finalen e FA Cup, shkaku i lëndimit

  • E.K /
  • 23 July 2020 - 15:38
Mustafi e humb finalen e FA Cup, shkaku i lëndimit

Qendërmbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi, pritet të mungojë në ndeshjen finale të FA Cup kundër Chelseat, e cila do të zhvillohet në stadiumit kombëtar Wembley, shkaku i një lëndimi të pësuar.

Shkodran Mustafi, i cili s’ishte aspak pjesë e rëndësishme e skuadrës nën trajnerin Unai Emery, ka marrë rol kyç në skuadrën aktuale nën drejtimin e Mikel Artetas dhe ka qenë titullar në nëntë nga dhjetë ndeshjet e Arsenalit para gjysmëfinales së FA Cup kundër Manchester Cityt.

Por, pasi e pësoi një lëndim muskulor në këmbë në pjesën e fundit të ndeshjes kundër skuadrës së Pep Guardiolës, Mustafi e pati të pamundur të luajë në disfatën e së martës me rezultat 1:0 kundër Aston Villës.

Përfaqësuesi gjerman me origjinë shqiptare i ka bërë testet mjekësorë për atë lëndim dhe trajneri Mikel Arteta e ka shprehur shqetësimin e tij se qendërmbrojtësi do ta ketë të pamundur të luajë kundër Chelseat në Wembley.

“Kam dyshime”, tha Arteta, kur u pyet nëse Mustafi do të ishte i gatshëm të luajë në finale.

“Ne duhet ta shikojmë se si do të shkojë gjatë ditëve të ardhshme, por për momentin s’besoj se do të mundë të luajë”. 

(Kosova Sot Online)