Mavraj kërkon lirinë e Palestinës, klubi i tij distancohet pas debatit kontrovers

  • S.A /
  • 24 July 2020 - 13:05
Mavraj kërkon lirinë e Palestinës, klubi i tij distancohet pas debatit kontrovers

Mërgim Mavraj kthehet përsëri në qendër të vëmendjes dhe përsëri për ngjarje që kanë të bëjnë pak me fushën e futbollit.

Këtë herë, ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë akuzohet për qëndrim anti-Semit pasi ka fshirë nga harta Izraelin në një postim.

“Nürnberger Zeitung” shpjegoi se pak ditë më parë Mavraj kishte postuar një foto në Instagram, në të cilin silueta e territoreve të Izraelit dhe Palestinës ishin mbuluar me lule. Në mes të fotos, me hashtag #FreePalestine (lironi Palestinën), shiheshin edhe konturet e Jerusalemit, por poshtë shkruhej vetëm Palestinë. Ndërsa Izraeli nuk paraqitej si shtet në hartë.

Një reagim i cili sipas Daniela Einshtajn, drejtoresha e Muzeut Hebraik në Franken, tregonte se Mavraj mbante qëndrim anti-Semit më këtë postim.

“Kjo sjellje është e papranueshme, mesazhi i Mavrajt kundërshton të drejtën e Izraelit për të ekzistuar”, theksoi ajo.

Klubi i Greuther Furth, pjesë e të cilit është Mavraj, u distancua nga publikimi i mbrojtësit.

“Si një klub, ne jemi pro tolerancës, diversitetit dhe barazisë dhe jemi kundër diskriminimit, racizmit dhe përjashtimit, të cilën ne e shprehim rreth fushatave tona vazhdimisht. Ndaj distancohemi nga publikime të tilla”, shkruante klubi në reagimin e tij.

Por ky lajm ka acaruar dukshëm Mavrajn, i cili nuk pranon akuzat dhe mendon se po e teprojnë me një përshkrim të tillë. “Përfundimi se unë jam anti-Semit është primitiv në kohët tona. Izraeli dhe Palestina kanë të njëjtën të drejtë të jenë në hartën e botës. Unë nuk i mohova Izraelit të drejtën për të ekzistuar”, shpjegoi ai për mediat gjermane,

Ndërkohë, gjatë pasdites sot Mavraj ka postuar disa video në Instagram ku shpjegonte se nuk kishte qëndrime anti-Semite, por thjesht kërkonte që edhe Palestina të kishte të njëjtat të drejta. “Demokracia është për të dy palët”, shkruante Mavraj.

(Kosova Sot Online )