Solskjaer: Jemi lodhur, por do ta sigurojmë kualifikimin në Champions

  • A.P /
  • 24 July 2020 - 19:59
Solskjaer: Jemi lodhur, por do ta sigurojmë kualifikimin në Champions

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se lojtarët e tij kanë mjaftueshëm vetëbesim dhe energji për ta mposhtur Leicester Cityn të dielën, në mënyrë që ta sigurojnë një vend në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Një pikë i mjafton Manchester Unitedit ta zërë një vend në top katërshe të Premierligës, mirëpo Djajtë e Kuq s’do ta kenë këtë të lehtë nëse gjykohet nga paraqitjet e fundit të klubit – barazime në Premierligë kundër Southamptonit dhe West Hamit.

Manchester Unitedi edhe u mposht nga Chelsea në gjysmëfinale të FA Cup. Mirëpo, përkundër lodhjes që e ka skuadra shkaku i agjendës së ngjeshur të ndeshjeve, Solskjaer beson se skuadra e tij ka mjaftueshëm energji për ta siguruar kthimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

“Besoj se niveli i vetëbesimit të lojtarëve tonë do të jetë i lartë, ne ia kemi dhënë vetes një mundësi të artë për këtë ndeshje të fundit. Kur e ke ndeshjen e fundit të sezonit, ti pret që lojtarët të kenë trupin të mavijosur, dhimbje, lodhje… kjo është e natyrshme për çdo lojtar”, ka thënë Solskjaer.

“Edhe pse ky sezon ka qenë më ndryshe, në aspektin që na ka lodhur më shumë të gjithëve, ne kemi energji edhe për 90 minuta, epo edhe për më shumë sepse do të ketë edhe kohë shtesë me siguri”.

“Ne kemi mjaftueshëm, por pasi që kemi qenë më prapa me pikë kur rinisi sezoni, ne u desh ta japim maksimumin nga vetja që nga qershori, të tentojmë të shënojmë dhe të fitojmë pikë. Ka qenë një tentim i mrekullueshëm nga të gjithë që na ka sjellë në këtë pozitë që jemi tani”. 


(Kosova Sot Online)