Interi nuk e korr atë që e mbjell, thotë Antonio Conte

  • A.P /
  • 26 July 2020 - 09:51
Interi nuk e korr atë që e mbjell, thotë Antonio Conte

Trajneri i Interit, Antonio Conte thotë se nuk ëndërron kot se skuadra e tij ka shpresa për ta fituar titullin në Serie A, e madje as Ligën e Evropës, duke thënë se ka sezone kur zikaltrit nuk e korrin atë që e mbjellin.

Interi u rikthye në pozitën e dytë pas fitores 3:0 kundër Genoas të shtunën në Marassi, falë dy golave nga Romelu Lukaku dhe një nga Alexis Sanchez.

Kjo fitore e ka shtuar presionin ndaj liderit, Juventus, por Conte nuk shpreson aspak se skuadra e tij ka gjasa për titull në tri ndeshjet e mbetura në Serie A.

“Është për të ardhur keq sesi (kemi humbur pikë) në disa ndeshje, por ka sezone kur nuk e korr atë që e mbjell dhe kjo ka ndodhur me Interin. Dikush tjetër do ta fitojë titullin, por ne duhet patjetër të kemi synime për të arritur lart”, tha Conte pas ndeshjes.

Ndërsa, i pyetur se a ka gjasa skuadra e tij ta fitojë Ligën e Evropës, trajneri italian tha se Manchester United mund të jetë favoriti kryesor.

“Ka ekipe tjera si Manchester United që dëshiron ta fitojë atë. Në Angli thonë se Unitedi është i detyrua ta fitojë, ndryshe mund të mos kualifikohet në Ligën e Kampionëve. Por ne do ta japim më të mirën nga vetja”, shtoi ai. 


(Kosova Sot Online)