Klopp zbulon takimin e parë me Fergusonin: Ishte si ta takoja Papën

  • S.A /
  • 28 July 2020 - 08:57
Klopp zbulon takimin e parë me Fergusonin: Ishte si ta takoja Papën

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se ai ishte ndierë sikur të ishte duke e takuar Papën kur e kishte takuar për herë të parë ish-trajnerin legjendar, Sir Alex Fergusonin.

Jurgen Kloppit iu dha trofeu Sir Alex Ferguson të hënën, pasi ai u votua si trajneri më i mirë i vitit në Premierligë nga Asociacioni i Trajnerëve të Ligës.

Klopp u shpërblye me këtë çmim pasi e udhëzoi skuadrën e Liverpoolit drejt titullit të parë të Premierligës në histori dhe titullit të parë si kampion i Anglisë në 30 vjet, duke e mbyllur sezonin me 18 pikë më shumë se rivali më i afërt, Manchester City.

Trajneri legjendar i Manchester Unitedit, Ferguson, e lavdëroi trajnerin gjerman për arritjet e tij përderisa po bëhej i ditur fituesi i çmimit dhe zbuloi se e kishte një telefonatë nga ai pasi Liverpoolit e fitoi titullin këtë sezon.

“Do të të fal që më zgjove në orën 3:30 të mëngjesit për të më treguar që e ke fituar ligën. Faleminderit, por megjithatë, e merituar me të vërtetë. Ju lumtë”, tha Ferguson.

Klopp ishte i lumtur t’i lërë anash rivalitetet e dy klubeve dhe ta zbulojë se sa shumë e do trajnerin skocez, të cilin e takoi për herë të parë në fillim të karrierës së tij si trajner.

“Unë e di se nuk është 100 për qind e përshtatshme ta them këtë si trajner i Liverpoolit, por unë e adhuroj atjë”, tha Klopp.

“Unë e mbaj mend që ai ishte trajneri i parë britanik që e kisha takuar. Ne hëngrëm mëngjes. Nuk jam i sigurt se sa e mban mend ai atë takim, por unë e mbaj mend të gjithin sepse për mua ishte sikur të kisha qenë në takim me Papën”.

“Ishte plotësisht e mrekullueshme dhe nga ai sezon i parë, ne shkuam mirë me njëri-tjetrin. S’e kisha menduar asnjëherë se në këtë moment do ta mbaja në duar një trofe të emëruar për nder të tij”.

(Kosova Sot Online )