Drejtori i Bayernit e konfirmon: Thiago do të largohet

  • S.A /
  • 31 July 2020 - 09:32
Drejtori i Bayernit e konfirmon: Thiago do të largohet

Drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, e ka konfirmuar se Thiago nuk do të nënshkruaje kontratë të re dhe pritet të largohet nga klubi gjatë kësaj vere.

Mesfushori iu bashkua gjigantit gjerman nga Barcelona, pas transferimit në vitin 2013, dhe tani i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratën e tij aktuale.

Thiago, 29-vjeçar, ka qenë i përfolur për një transferim në Premierligë, te kampioni Liverpoolit, dhe Bayerni e ka pranuar se ai do të largohet.

Bayerni kishte tentuar fillimisht ta mbajë atë në skuadër, mirëpo drejtori sportiv Hasan Salihmidzic dështoi ta bindë atë për të nënshkruar kontratë të re.

“Në fakt, bisedat mes tij dhe Hasanit ishin gjithmonë shumë produktive. Në një pikë dukej se do të arrihej marrëveshje. Por, pastaj Thiago e informoi Hasanin se ai dëshiron të provojë diçka të re dhe tani jemi këtu”, ka thënë Rummenigge.

“Ne do ta pranojmë këtë. E kemi një kontratë që është e vlefshme edhe për një vit dhe nëse ai arrin marrëveshje me ndonjë klub, atëherë ai klub do të duhet ta paguajë një shumë të caktuar parash:.

“Unë nuk dua ta komentoj publikisht atë shumë. Do ta zgjidhim këtë çështje, por nuk e kemi patjetër ta shesim verës”.

“Nuk jam i zemëruar aspak, më pëlqen ai. Mendoj se është futbollist i mrekullueshëm dhe e ka edhe një personalitet të mirë. Nuk duhet ta harrojmë se ai i ka 29 vjeç dhe nëse dëshiron të provojë diçka të re, duhet ta bëjë këtë tani”.

(Kosova Sot Online )